Bashkitë e luginës së bashku për Vjosën

++ Njësitë e qeverisjes vendore nënshkruajnë një peticion kundër ndërtimit të HEC-eve në Vjosë++

Tiranë 20.02.2017. Për herë të parë Njësitë e Qeverisjes Vendore të luginës së Vjosës, dalin në një reagim publik të përbashkët kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Pas kundërshtimit të vazhdueshëm të banorëve të luginës, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, shkencëtarëve dhe Parlamentit Evropian, së fundmi në mbrojtje të Vjosës janë shprehur edhe Kryetarët e bashkive të luginës. Bashkitë Përmet, Tepelenë, Memaliaj, Mallakastër dhe Selenicë përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta kanë ngritur shqetësimin e komuniteteve që përfaqësojnë lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve.

SONY DSC
Lumi Vjosa. (c) B. Guri

Në një tryezë të përbashkët të organizuar nga Qendra EcoAlbania, kryetarët, të gjendur përballë një situate ku e gjithë lugina e Vjosës po përballet me kërcënimin për t’u shndërruar në një park të madh hidroenergjetik, kanë ndërmarrë këtë nismë publike duke i kërkuar qeverisë qendrore të ri-konsiderojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj. “Ne si pushtet vendor nuk jemi informuar në rrugë zyrtare mbi planet për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit dhe banorët e prekur nga ky HEC nuk janë bërë pjesë e konsultimeve publike”, tha Agron Kapllanaj, kryetari i bashkisë Mallakastër.

Shqetësimi mbi mungesën e transparencës lidhur me HEC-in e Poçemit është ngritur edhe më parë nga banorët e prekur në të dy anët e lumit dhe për më tepër është objekt i procesit gjyqësor të hapur nga vetë banorët dhe organizatat mjedisore. “Problematika e Vjosës është një çështje që ka të bëjë me funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Banorët e luginës janë atë të cilët duhet të jenë pjesë e vendim-marrjes për projekte që prekin direkt jetën dhe të ardhmen e tyre”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania.

Lugina e Vjosës përbën një potencial të lartë për zhvillimin e turizmit dhe kërkimeve shkencore shkak të integritetit të lartë natyror. Ky lumë është i lidhur ngushtësisht me jetën e përditshme të banorëve të zonës, duke ofruar mundësi për zhvillimin e bujqësisë, peshkimit  dhe turizmit si burimi kryesor i zhvillimit ekonomik të së ardhmes. Vjosa është një thesar i trashëgimisë kulturore dhe social-historike të vendit. “Ne kemi plane të tjera për zhvillimin e luginës, atë të zhvillimit të turizmit. Ndërtimi i HEC-eve cenon këtë potencial. Tepelena ka shumë pasuri natyrore dhe historike të cilat duhen promovuar dhe zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme”, tha Tërmet Peçi, kryetari bashkisë Tepelenë.

Konkretisht, përfaqësuesit e zgjedhur të pushtetit vendor të luginës së Vjosës, i kërkojnë Qeverisë Shqiptare:

  • Të ri konsiderojë projektet e HEC-eve përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij
  • Të ndërmarrë nisma për pezullimin e kontratave konçesionare të lidhura për ndërtimin e HEC-eve përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij
  • Të garantojë zbatimin e mekanizmave për pjesëmarrjen e komunitetit në vendim-marrje të cilat burojnë nga legjislacioni shqiptar në fuqi
  • Të bashkëpunojë me Nj.Q.V-të e luginës së Vjosës dhe aktorë të tjerë, për të eksploruar strategji për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për zonën duke konsideruar projekte zhvillimi që nuk cënojnë integritetin e lumit e që garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore.
  • Të kërkojë transparencë të plotë nga Qeveria greke për marrëveshjet ndërshtetërore mbi lumenjtë.

Informacion shtesë:

Me mbështetjen e LëvizAlbania-demokracia vendore në veprim dhe Ambasadës Zvicerane, EcoAlbania po punon për forcimin e mekanizmave që garantojnë pjesëmarrjen aktive të komunitetit në procesin e vendim-marrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *