Banorët e Thirrës fitojnë çështjen në gjykatë, kundër HEC-eve

Më 24 shkurt, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi anulimin e lejes për ndërtimin e dy HEC-eve dhe një fabrike uji në fshatrat Thirrë, Sang dhe Hebë. Vendimi i gjykatës shënon një tjetër fitore ndaj çështjeve mjedisore, duke mbrojtur mjedisin e kërcënuar nga aktivitete ekonomike në kundërshtim me ligjet.

Që nga viti 2018 dhe deri më tani, përpjekjet e Qendra për Fuqizimin Ligjor (CLE), si përfaqësuese e çështjes dhe 166 paditësve banues të zonës, kanë qenë të vazhdueshme me protesta, zhvillime gjyqësore dhe advokim publik. Qëllimi kryesor i nismave ka qenë mbrojtja e zonës dhe e biodiversitetit të pasur, si dhe burimit ujor kryesor të zonës, me të cilin jetesa e banorëve është e lidhur ngushtë.

Protesta e banorëve. (c) EcoAlbania

CLE ka përfaqësuar prej dy vitesh çështjen në gjykatë, duke depozituar vazhdimisht prova, argumentuar dhe mbështetur në ligj arsyet e kundërshtimit të ndërtimeve dhe aktiviteteve ekonomike në burimin Krazhna dhe fshatrat Thirrë, Sang dhe Hebë, të cilat do të dëmtonin rëndë mirëqënien mjedisore dhe të banorëve të zonës.

Në të njëjtë kohë dhe banorët e kësaj zone kanë zhvilluar një fushatë të gjerë advokimi dhe protesta të vazhdueshme të zhvilluara nga vetë ata. EcoAlbania ka mbështetur banorët prej kohësh, duke i ndihmuar ata për ta ndjekur këtë çështje ligjerisht dhe publikisht. 

Në përfundim Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, vlerësoi këto përpjekje të pandalura të banorëve dhe avokatëve duke ndaluar shkaktimin e dëmeve të mëtejshme në mjedis.

Kjo çështje i’a doli të triumfojë në sajë të bashkëpunimit të ngushtë mes aktorëve dhe grupeve të interesit të përfshirë, të cilët i solli bashkë nevoja për mbrojtjen e pasurive mjedisore dhe të drejtave socio-ekonomike të banorëve.

Centre for Legal Empowerment vlerëson maksimalisht rezistencën e banorëve e cila e kombinuar me përkushtimin e avokatëve, para-ligjorëve dhe aktivistëve arriti të prodhonte një vendim të drejtë dhe në favor të interesit qytetar.

Ky vendim është një hallkë e rëndësishme në vendosjen e praktikave për mbrojtjen e mjedisit dhe kauzave të drejta qytetare.

Gjeni protestat e banorëve të pasqyruara në media në link-et më poshtë:

LINK 1 

LINK 2

LINK 3

LINK 4

LINK 5