12.06.2020. Gur i Bardhë, Mat. Banorët e fshatit Gur i Bardhë, Qarku Dibër organizuan protestën e rradhës në mbrojtje të lumit Mat nga shkatërrimi i hidrocentraleve të planifikuar të ndërtohen në zonë. EcoAlbania, mbështetëse e protestës, diskutoi me banorët mbi ndikimet që kanë HEC-et në këtë zonë dhe u tregua e gatshme t’i ofronte ndihmën dhe ekspertizën e saj. Projektet planifikohen të ndërtohen në Përroin e Sheshit dhe Dishit, degë të lumit Mat, në fshatin Gur i Bardhë, një nga 100 fshatrat turistik të shpallur nga qeveria.
Banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në fshatin e tyre, duke deklaruar se janë të gatshëm ta mbrojnë me të gjitha forcat. “Nuk lejojmë asnjë të vijë këtu, do ta mbrojmë vetë me sakrificë, me cfarë të jetë e mundur” – tha njëra nga zonjat e pranishme në protestë. Në kërkesën për Dhënie mendimi për ndërtimin e hidrocentraleve drejtuar banorëve dhe bashkisë Klos, banorët dhe përfaqësuesit e bashkisë shprehen kundër ndërtimit të HEC-eve. Disa nga banorët shprehen se kanë dëshirë të investojnë në fushën e turizmit, dhe hidrocentralet do ta minojnë këtë potencial zhvillimi.
Informacion shtesë: Projektet planifikohen të ndërtohen në një zonë Peizash i Mbrojtur – Mali me Gropa-Bizë-Martanesh. Investimet kapin shifrën prej 5.9 milionë eurosh, ku brenda dy vitesh do të instalohet 8.8 MW fuqi për prodhimin e energjisë elektrike.