NJOFTIM PËR SHTYP

Konventa e Bernës i dërgon një paralajmërim të qartë Shqipërisë: Vjosa-Narta nuk është vend për zhvillime shkatërruese

Tiranë, 15 korrik 2026 – Byroja e Konventës së Bernës i ka dërguar edhe një herë një mesazh të fortë Qeverisë Shqiptare lidhur me kërcënimet e vazhdueshme ndaj sitit Emerald Vjosa-Nartë, duke bërë të qartë se Shqipëria duhet të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa përpara se të lejojë zhvillime të mëtejshme në një nga peizazhet natyrore më të rëndësishme të mbrojtura në Evropë.

vendimin e saj më të fundit, Byroja shpreh shqetësim për mungesën e informacionit të ofruar nga autoritetet shqiptare, rithekson se çdo projekt që prek sitin Emerald Vjosa-Nartë duhet të jetë plotësisht në përputhje me Konventën e Bernës dhe i kërkon Qeverisë të paraqesë informacion të detajuar mbi lejet e dhëna, projektet e planifikuara dhe ndikimet e tyre kumulative përpara mbledhjes së ardhshme në shtator. Byroja paralajmëron gjithashtu se e njëjta qasje mund të krijojë rreziqe edhe për sitet e tjera kandidate të Rrjetit Emerald në Shqipëri.

Ky vendim vjen vetëm pak javë pasi EcoAlbania informoi Byronë se punimet kishin nisur tashmë në Deltën e Vjosës, ndërkohë që autoritetet vazhdonin të miratonin projekte të mëdha turistike me mungesë transparence dhe pa informuar publikun. EcoAlbania paralajmëroi gjithashtu se Delta e Vjosës po përballet me një valë të paprecedentë presioni zhvillimor, ku një sërë projektesh strategjike të planifikuara brenda peizazhit të mbrojtur rrezikojnë, së bashku, të transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga ekosistemet deltore më të paprekura të Mesdheut.

Në të njëjtën kohë, mijëra qytetarë kanë dalë në protestë në të gjithë Shqipërinë, në mobilizimin më të madh mjedisor të viteve të fundit. Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Deltën e Vjosës është shndërruar në një lëvizje mbarëkombëtare për mbrojtjen e zonave të mbrojtura nga pasojat e Ligjit nr. 21/2024, i cili hapi rrugën për zhvillime brenda zonave të mbrojtura.

Konventa e Bernës nuk mund të kishte qenë më e qartë. Qeveria Shqiptare nuk mund të vazhdojë të sillet sikur detyrimet ndërkombëtare janë çështje zgjedhjeje, ndërkohë që u hap rrugën investitorëve brenda zonave të mbrojtura. Vjosa-Narta është një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore, e njohur ndërkombëtarisht, jo një kantier ndërtimi. Qytetarët po protestojnë sepse e kuptojnë çfarë është në lojë. Qeveria duhet të ndalojë së kërkuari mënyra për t’iu shmangur vendimeve të Konventës së Bernës dhe të nisë zbatimin e tyre. Në të kundërt, Shqipëria rrezikon të shkatërrojë një nga deltat e fundit të egra të lumenjve në Evropë dhe të minojë angazhimet e saj evropiane,” u shpreh Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Çështja e hapur në kuadër të Konventës së Bernës për lumin Vjosa dhe Vjosa-Nartën mbetet ende në shqyrtim. Byroja do të rikthehet në shqyrtimin e përgjigjes së Qeverisë Shqiptare në mbledhjen e saj të ardhshme në shtator 2026, ku do të rishqyrtojë gjithashtu organizimin e një misioni vlerësues në terren. Komiteti i Përhershëm ka ritheksuar se lumi Vjosa dhe grykëderdhja e tij përfaqësojnë një nga ekosistemet lumore më të rëndësishme dhe më të ruajtura të Mesdheut dhe i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë të zbatojë plotësisht Rekomandimin nr. 219 (2023), të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa e Bernës, të forcojë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe të mbrojë këtë zonë nga dëmtimet e pakthyeshme.

Për kontakte:

[email protected]