Në kuadër të Projektit ISCCA – Menaxhimi i Qëndrueshëm i Korridoreve Ekologjik në Zonën Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz, u zhvillua takimi prezantues me përfaqësues të bashkive, AdZM-ve, Organizatave të Shoqërisë Civile dhe sektorit privat, përfshirë guida turistike të zonës, me fokus prezantimin dhe diskutimin e Draft-Udhëzuesit për Pjesëmarrjen e Publikut në Nivel Lokal.
Qëllimi i këtij takimi ishte mbledhje e komenteve dhe sugjerimeve praktike mbi mënyrën se si proceset e konsultimit publik funksionojnë aktualisht dhe si mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e planifikimit territorial, menaxhimit të zonave të ndjeshme dhe korridoreve ekologjike.



Gjatë diskutimeve u trajtua roli i qytetarëve dhe institucioneve në konsultimet publike, nivelet e pjesëmarrjes, si dhe hapat kryesorë të procesit të konsultimit dhe mjetet praktike që përdoren për informim dhe përfshirje. U ndanë përvoja konkrete nga institucionet dhe shoqëria civile lidhur me praktikat e informimit të komuniteteve, përfshirë përdorimin e rrjeteve sociale, takimeve informuese dhe rolit të strukturave lokale në njoftimin e qytetarëve.
Pjesëmarrësit identifikuan gjithashtu një sërë sfidash që ndikojnë në cilësinë e konsultimeve publike, si njoftimi jo në kohë i komunitetit, mungesa e transparencës gjatë këtyre proceseve, përzgjedhja e kufizuar e pjesëmarrësve dhe zhvillimi i konsultimeve në faza të vona të vendimmarrjes, veçanërisht për projekte në zona të ndjeshme mjedisore.
Në përfundim të këtij takimi, u theksua nevoja për konsultime më të hershme dhe gjithëpërfshirëse, informim më të gjerë të komuniteteve dhe grupeve të interesit, si dhe përfshirjen e aktorëve relevantë institucionalë dhe private në proceset vendimmarrëse.
Sugjerimet e mbledhura gjatë këtij konsultimi do të merren parasysh në rishikimin e Draft-Udhëzuesit, me synimin për të forcuar pjesemarrjen reale të publikut dhe për të përmirësuar qeverisjen e korridoreve ekologjike në kuadër të Projektit ISCCA.
