Gazetarë kombëtarë e ndërkombëtarë dëshmojnë kërcënimet me të cilat përballet parku i parë kombëtar i lumit të egër në Europë, Vjosa

Nga 1 deri më 3 shtator, EcoAlbania, me mbështetjen e EuroNatur, Riverwatch dhe Patagonia, organizoi një tur mediatik përgjatë lumit Vjosa, Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër në Europë. Qëllimi ishte të sillte gazetarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë përballë kërcënimeve mjedisore të vazhdueshme, të identifikuara në raportin e fundit të EcoAlbania-s “Hartëzimi i Kërcënimeve”.

Një lumë me rëndësi globale nën presion

Që nga shpallja historike si Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër në Europë, në mars 2023, Vjosa është shndërruar në një simbol të advokimit mjedisor në mënyrë të suksesshme dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Fushata për mbrojtjen e saj u përqafua nga institucionet europiane, mediat dhe publiku, duke e kthyer Vjosën në një arritje të përbashkët europiane.

Megjithatë, dy vjet e gjysmë më vonë, lumi është sërish në rrezik. Ndotja nga nafta, minierat e bitumit, shfrytëzimi e përpunimi i zhavorrit, mbetjet urbane, ujërat e zeza të patrajtuara dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i ujit po dëmtojnë jo vetëm integritetin ekologjik të lumit, por edhe besueshmërinë e statusit të tij të mbrojtur.

Ndërkohë që qeveria shqiptare është pozicionuar në arenën ndërkombëtare si kampione e mbrojtjes së mjedisit, realiteti në terren tregon një histori më të ndërlikuar.

Në vijën e parë të sfidave të Vjosës

Gjatë tre ditëve, gazetarët ndoqën një itinerar intensiv në disa prej zonave kyçe të basenit të Vjosës:

Udhëtimi nisi në Selenicë, ku derdhjet e naftës kanë ndotur dukshëm brigjet e lumit. Në Lepenicë, grupi pa nga afër pasojat e minierave të bitumit dhe ndikimin e tyre të qëndrueshëm në mjedis. Më pas, përgjatë lumit Shushicë, gazetarët dëshmuan shkatërrimin e habitateve breglumore dhe devijimin e shkaktuar nga kanali i ujitjes, që largon ujin nga rrjedha natyrore e lumit.

Në Tepelenë dhe Bënçë, pjesëmarrësit dokumentuan mbetje urbane dhe ujëra të zeza të patrajtuara të shkarkuara drejtpërdrejt në lumë, me pasoja të dukshme për cilësinë e ujit dhe biodiversitetin. Vizita përfundoi me diskutime mes gazetarëve dhe ekspertëve të EcoAlbania-s dhe EuroNatur-it, të shoqëruara me shpërndarjen e raportit “Hartëzimi i Kërcënimeve”.

Roli i medias

Duke vëzhguar nga afër këto realitete, gazetarët luajnë një rol vendimtar në mbajtjen e vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare të përqendruar tek Vjosa. Raportimi i tyre mban përgjegjës vendimmarrësit dhe siguron që premtimet për mbrojtje të përkthehen në veprime konkrete.

“Ky park u përshëndet në të mbarë botën, por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Pa një vullnet politik urgjent, Vjosa rrezikon të mbetet e mbrojtur vetëm në letër,” – Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Ta mbajmë Vjosën të lirë

Ky tur mediatik nxori në pah nevojën urgjente për monitorim të vazhdueshëm, zbatim më të fortë të standardeve mjedisore dhe marrjen e masave të menjëhershme për adresimin e kërcënimeve të identifikuara. Të mbrosh Vjosën do të thotë të mbrosh besueshmërinë e angazhimeve të Europës për ruajtjen e natyrës.

Nëpërmjet bashkëpunimit mes komuniteteve lokale, OJF-ve, gazetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, EcoAlbania dhe aleatët e saj riafirmojnë përkushtimin për të siguruar që lumi i fundit i egër në Europë të mbetet i lirshëm, i gjallë dhe i mbrojtur për brezat që do të vijnë.