Riaktivizohet projekti i i Ujësjellësit të Himarës në lumin Shushica ndërsa vijon beteja ligjore

Banorët e prekur vijojnë kundërshtimin e ujësjellësit në gjykatën Administrative të Lushnjës

Tiranë, 22.01.2025. Ndërkohë që procesi gjyqësor për kundërshtimin e projektit të ujësjellësit të Himarës është ende në fazën përgatitore, në terren autoritetet kanë riaktivizuar punimet duke filluar me zhvendosjen e tubave të devijimit në territorin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Së fundmi zbatuesit e projektit kanë nisur të shpërndajnë tubat në anë të rrugës nacionale, përgjatë rrjedhës së sipërme të Shushicës, për tu përgatitur për vijimin e punimeve. Tubat që planifikohen të përdoren për të marrë ujin e Shushicës, ishin të staciouar pranë vend-gumbullimit të tyre në urën e Laskos në Kuç prej më shumë se 1 vit e gjysëm, pasi hasën në kundërshtinë e banorëve.

“Është e papranueshme që pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm nga ana jonë si banorë të luginës së Shushicës, ky projekt të vijojë punënimet brenda parkut kombëtar të Vjosës. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga marrja e ujit të Shushicës për ujësjellësin e Himarës dhe të përdorë alternativa të tjera për realizimin e tij”, tha Astrit Balilaj, kryetar i fshatit Kuç.

Ujësjellësi i Himarës është kundërshtuar në të gjitha mënyrat demokratike nga banorët dhe organizatat mjedisore – projket që rrezikon të thajë shtratin e lumit Shushica dhe të lerë pa ujë banorët e 36 fshatrave të lumit të Vlorës. Megjithatë, nuk ka ende një deklaratë publike nga qeveria në lidhje me vijimin e punimeve.

“Beteja për mbrojtjen e ujit të Shushicës vijon, tashmë edhe në gjykatë. Ne jemi të vendosur ta ndjekim këtë rast ne të gjitha instancat për të moslejuar këtë ndërhyrje shkatërruese në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, e cila do të përbënte një precedënt të rrezikshëm për të ardhmen e parkut.”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania.

Tubat e deijimit të ujit të Shushicës janë vendosur anës rrugës, përgjatë lumit duke sinjalizuar rifillimin e punimeve për ujësjellësin e Himarës (c) Olsi Nika / Ecoalbania

Në seancën gjyqësore të zhvilluar dje në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë Lushnjë me objekt padie kundërshtimin e ndërtimit të projektit të ujësjellësit të Himarës u paraqitën të gjitha palët ndërgjyqësore:

Paditësi: EcoAlbania dhe banorë të fshatrave të lumit të Vlorës, përfaqësuar nga avokatët Dorian Matlija dhe Irene Dule.

Të paditurit: AKM, MTM, KBU Vjosë, Bashkia Himarë, Avokatura e Shtetit dhe Fondi Shiptar i Zhvillimit.

Seanca është zhvilluar për rreth 1 orë, dhe çështjet që u shtruan në këtë fazë parapërgatitore janë:

  • Ankimimi administrativ si etapë paraprirëse e ankimimit gjyësor. Gjykata ka ngritur këtë pyetje për të vlerësuar nësë ky hap është bërë apo jo. Pala paditëse ka dhënë argumentat përkatëse se ankimimi administrativ nuk është ezauruar për aq kohë sa informacioni për projektin ka mbërritur të banorët dhe EcoAlbania vetëm pas fillimit të punimeve, pra kohë më vonë se miratimi i projektit përmes akteve administrative të lëshuara nga AKM, KBU dhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë Himarë.
  • Legjitimimi: Është diskutuar mbi legjitimimin pasi pretendimet e palës së paditur shprehin se banorët dhe EcoAlbania nuk legjitmiohet të ngrenë padi për këtë çështje. Pala mbrojtëse ka listuar argument dhe praktikën e krijuar tashmë prej më shumë se 8 vitesh ku organizatat dhe komunitetet lokale në bazë të Konvetës së Aarhus gëzojnë të drejtën t’i drejtohen Gjykatës për çështje mjedisore.
  • Afatet e Ankimimit: Në seancë është diskutuar edhe lidhur me afatet e ngritjes së padisë, pasi pala e paditur pretendon që paditësit janë jashtë afatit, mirëpo edhe kjo është kundërshtuar nga avokatët mbrojtës se informacioni për projektin është marrë në rrugë zyrtare vetëm pas kërkesës së paditësve dhe kjo ka ndodhur disa muaj pas fillimit të punimeve. Kjo kohë është brenda afatit për ngritjen e padisë me objekt rrëzimin e akteve (lejeve përkatëse të prjektit) si akte absolutisht të pavlefshme.

Gjykata do të shprehet për të trija këto çështje në seancën e ardhshme pasi përfaqësuesi i Avokaturës së Shtetit kërkoi kohë që të japë argumentat e tij me shkrim. Seanca e radhës është caktuar në datën 4 mars 2025, në orën 13:00.

Informacion shtesë:

Shushica duke përfshirë edhe burimet e saj – është një degë e rëndësishme e Vjosës dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të parë të Egër të Evropës që prej Marsit të vitit 2023. Me ndërtimin e ujësjellësit të Himarës, qeveria synon të devijojë ujin e burimit të Lëpushës (burimi i Shushicës) për ta çuar atë në bregdetin e Himarës në mënyrë që të përmbushë kërkesat e turizmit masiv atje. 17 Km tubacione nga Kuçi në Himarë janë gati të përfunduar, megjithatë diga e devijimit – infrastruktura më e rëndësishme dhe më shkatërruese e projektit të devijimit ë ujit – është akoma për t’u ndërtuar. Projekti po financohet nga Banka Gjermane e Zhvillimit KfW dhe BE (Western Balkans Investment Framework), ndërkohë që punimet zhvillohen nga STRABAG-u Austriak. Ky projekt jo vetëm është shkatërrues për lumin, por i pavend, pasi ka burime të tjera alternative jashtë kufijve të parkut kombëtar për të përmbushur nevojat e Himarës.