++Banorët në kundërshtim të projektit të ujësjellësit të Himarës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Lushnjës+++++Vijon procesi gjyqësor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve në Shushicë++
Lushnjë, Tiranë, 25 nëntor 2024. Banorët e luginës së Shushicës dhe organizatat në mbrojtje të lumit vijojnë betejën ligjore kundër projekteve për ndërtimin e 4 hidrocenteraleve si dhe devijimit të burimit kryesor të lumit Shushica për ndërtimin e ujësjellësit të Himarës.
Gjykimi për padinë e 54 banorëve dhe EcoAlbania kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, nisi sot në Gjykatën e Lushnjës pas transferimit nga Gjykata Administrative e Tiranës nën argumentin për mungesë juridiksioni territorial të kësaj të fundit. Në seancën e sotme, palët e paditura: Bashkia Himarë, Këshilli i Basenit Vjosë dhe Agjenica Kombëtare e Mjedisit, nuk u paraqitën, ndërsa Avokatura e shtetit në cilësinë e palës së tretë, u përfaqësua nga Zyra Rajonale Lushnjë dhe kërkoi tërheqjen e prapësimeve të paraitura nga palët në proces.
“Banorët dhe ne si një prej aktorëve të interesuar e kemi kundërshtuar projektin që planifikon të marrë ujin nga burimi kryesor i Shushicës, për të furnizuar bregdetin e Himarës me ujë. Një projekt që cënon jo vetëm biodiversitetin dhe integritetin e parkut të Lumit të Egër Vjosa por edhe në mënyrë direkte jetën e banorëve të 36 fshatrave të luginës”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania. Padia e ngritur nga banorët e zonës dhe EcoAlbania kundërshton: vendimmarrjen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit; lejen e ndërtimit lëshuar nga Bashkia Himarë; lejen e përdorimit të ujit lëshuar nga Këshilli i Basenit Vlorë.
Ndërkohë paralelisht, po gjatë ditës së sotme, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua seanca e radhës për kundërshtimin e 4 hidrocentraleve të planifikuara në lumin e Shushicës. Seanca vijoi sot me prezencën e palëve paditëse edhe pse në mungesë të avokaturës së shtetit dhe kompanisë Shushica Hydrpower.
“Një çështje e nisur para se të shpallej lumi Vjosa si Park Kombëtar, ende vazhdon të jetë e hapur në gjykatë, për të kundërshtuar aktet admnistrative lidhur me këtë kontratë. Ne si avokatë të çështjes kemi gati tre vite që e ndjekim këtë proces dhe mund të themi se jemi më në fund, afër mbylljes së saj nga gjykata”, tha Irena Dule, një prej 2 avokatëve të çështjes nga Res Publica. Padia e 28 banorëve të luginës së Shushicës, së bashku me EcoAlbania dhe shoqatën Impetus, kundërshtojnë vendimin e Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për miratimin e kontratës dhe lejes mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Shushicë në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower”.
Seancat e radhës të caktuara nga Gjykata do të jenë: 3 dhjetor 2024 për çështjen e hidrocentralve në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 21 janar 2025, për çështjen e ujësjellësit të Himarës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.