Në zemër mban lumin: Albiona Muçoimaj, udhërrëfysja besnike e Vjosës

Nga Rashela Shehu, gazetare

Albiona Muçoimaj, udhërrëfyesja e Vjosës dhe aktivistja nga Tepelena (c) Rashela Shehu


‘’Valëzimi i Lumit Vjosa nën rrezet e fundit të diellit’’ thotë Albiona Muçoimaj teksa sjell në mendje peizazhin më të bukur nga vitet e fëmijërisë. E rritur ne fshatrat buzë Vjosës, 32 vjeçarja nga Tepelena, e quan këtë një bekim, e aspak një rastësi që dashurinë për natyrën dhe njerëzit i ka pjesë të pandarë të jetës dhe profesionit të saj.

Një specialiste ne fushën e turizmit dhe guide turistike, Albiona i udhëheq vizitorët shtigjeve të Vjosës për t’i prezantuar ata me bukuritë natyrore dhe traditat e zonave përreth. “Përpiqem t’i kthej mbrapsh atë që më ka dhënë” – shprehet ajo, e cila me modesti e quan këtë një kontribut të vogël për vendlindjen e saj. ‘’Dua që vizitorët të përjetojnë lidhjen e veçantë me lumin, të ndihen për pak kohë si banorë të Vjosës’’ – thotë ajo, pa e fshehur aspak nevojën e thellë që ka për t’iu rikthyer herë pas here rrënjëve të saj, e cila tashmë prej vitesh jeton në Tiranë.

‘’Vjosën mund ta eksplorosh përmes rafting apo ujëvarave, por fokusi im është tek turet e personalizuara’’ – sqaron më tej Albiona, e cila sheh po ashtu një ndërthurje të artë mes identitetit dhe marketingut tek organizimi i festave lokale. ‘’Kjo i takon pushtetit vendor, por mbajtja gjallë e traditave sjell më shumë turistë të huaj, që do të thotë një rivitalizim i fshatrave dhe i ekonomisë’’ – shprehet ajo më tej. Sipas Albionës kjo do të ndihmonte për të zgjidhur edhe problemet e infrastrukturës që ka aktualisht në këto zona pasi ‘’turizmi sjell të ardhura, turistët kërkojnë kushte, kështu që fshatrat mund të përmirësohen falë potencialit turistik të Vjosës’’.


I ruan ende si të çmuara kujtimet e festës tradicionale të Gurrës, që zhvillohej gjatë periudhës së pranverës në fshatin Kalivaç. ‘’I ngjante një feste pagane ku të gjithë festonin për të mirat dhe natyrën’’ – kujton Albiona e përhumbur lehtë në detajet e asaj feste, me një dritë nostalgjie në sytë e saj të gjelbër.

‘’Sepse ku rrjedh Vjosa që të gjithë kendojnë, dinë se si ta festojnë jetën’’ – shton e buzeqeshur, duke shfaqur dëshirën për ta përfshirë edhe këtë destinacion në guidat e saj të ardhshme.

Albiona Muçoimaj, udhërrëfyesja e Vjosës dhe natyrës në Shqipëri (c) Besjana Guri

Këmbënguljen për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e saj, Albiona e ka po aq të ndërthurur me aktivizmin. Në bashkëpunim me organizatën mjedisore EcoAlbania, ajo ka trajnuar të rinjtë e fshatrave buzë Vjosës, për t’i mësuar e frymëzuar ata se si të organizojnë guida turistike.


‘’Tashmë që Vjosa është shpallur Park Kombëtar, vëmendja rreth saj është më e madhe’’– shprehet Albiona, e cila prej fillimit ka qënë shumë aktive në mbrojtjen e lumit. ‘’Por është shumë e rëndësishme që të ndërtohet një plan për një turizëm të qëndrueshëm’’ – shton ajo më tej.


Sipas saj turizmi në Luginën e Vjosës duhet të shtrihet edhe në zonat e thella malore, për të zbuluar të tjera thesare të natyrës, e njëheresh kjo i jep mundësi komuniteteve që nuk lidhen direkt me lumin për të zhvilluar ekonominë familjare. ‘’Kjo shmang edhe përqëndrimin e shumë turistëve në lumë apo në zonat pranë tij, pra e ul ndikimin negativ të turizmit në park” – shprehet ajo.

Dhe Albiona e ka një ide se si të japë kontributin e saj në këtë gje. “BonJourney” është sipërmarrja më e fundit e të resë së talentuar, e konceptuar si një guidë që ofron destinacione pak të eksploruara nëpër Shqipëri, dhe me një fokus të madh tek Vjosa. ‘’Sepse të gjithë meritojnë një buzeqeshje, dhe natyra e gjen gjithmonë formën për të të bërë të lumtur’’ – shprehet Albiona.