Larta, mësuesja që mbjell ndër breza dashurinë për Vjosën


Nga Rashela Shehu, gazetare

Laerta Tani, mesusese nga Këlcyra, e apasionuar pas natyrës dhe lumit Vjosa. (c) Arsen Roshi

‘’Kur thuhet Vjosa, për mua është jetë’’. E nis keshtu bisedën Laerta Tani, me sytë që tashmë i ka të njomura me lot emocionesh. Ndodh gjithmonë kështu kur flet për Lumin Vjosa, që gjarpëron luginës së Këlcyrës, duke formuar së bashku me pyjet përreth një panoramë mbresëlënëse. ‘’Dita ime nis duke parë Vjosën, është frymëzimi im” – shprehet Laerta, mësuese e historisë dhe e gjeografisë në Këlcyrë.

I pëlqen kur e quajnë ‘’bijë e lumit’’ pasi identitetin e kësaj zone e sheh të lidhur ngushtësisht me të. ‘’Këlcyra, gryka dhe Vjosa janë një trinom i artë’’  – thotë Laerta, që krejt natyrshëm e gjen veten të rreshtuar përkrah atyre që e duan dhe e mbrojnë natyrën. ‘’Rrjedha e këtij lumi duhet të mbetet e paprekur’’ – shprehet ajo teksa herë pas here hedh mbi Vjosë sytë e saj në ngjyrë të lumit.

Laerta ruan në kujtesë çdo përpjekje të bërë për tjetërsimin e tij, e në çdo rast të tillë ajo ka qënë e vendosur për të mos e lejuar. ‘’Dua që Vjosa të shfrytëzohet pozitivisht, t’i shërbejë të gjitha këtyre zonave, por jo të dëmtohet nga aktivitetet e ndryshme’’– shprehet mësuesja 48 vjeçare.

Kjo është edhe kauza e saj personale, beteja e vazhdueshme për ta mbajtur të pastër mjedisin dhe për të rritur vetëdijen mbi rëndësinë e tij. Me shumë përkushtim, Laerta ka bërë bashkë misionin e mësueses dhe aktivistes, teksa përpiqet të ndihmojë brezat e ardhshëm të kuptojnë rëndësinë e Vjosës, si një thesar natyror që duhet mbrojtur dhe vlerësuar.

‘’Të rinjtë janë të lidhur me lumin pasi e shohin atë si një mundësi për t’u larë apo për të kaluar kohën’’ – shprehet ajo, ‘’por unë punoj që ata ta duan dhe ta mbrojnë atë si të jetë pjesë e familjes së tyre’’. Për këtë mësuesja e gjeografisë organizon herë pas herë vizita buzë Vjosës ku i shpjegon nxënësve më tepër rreth biodiversitetit dhe historisë së saj, për të krijuar mes tyre një lidhje emocionale.

Mësuese Larta buzë lumit Vjosa në Këlcyrë (c) Arsen Roshi

Përgjegjesinë më të madhe e ndjen ndaj djalit të saj të vetëm, 15 vjeçar. ‘’Vjosa është pasuria e përbashkët që i lëmë fëmijeve tanë, ndaj punoj shumë që ai të jetë i vetëdijshëm për këtë’’ – thotë Laerta. Ajo tregon me tej se si në familjen e saj është krijuar një traditë e vogël për të mbledhur mbeturinat përreth Vjosës. ‘’Çdo gusht ne levizim buzë lumit dhe e pastrojmë. E bëjmë këtë sepse vërtete duam që lumi të jetë i pastër, e po aq të japim një mesazh të rëndësishëm’’ – shprehet Laerta, me zërin ku ndihet përgjegjësia dhe pasioni.

Nuk e fsheh dot keqardhjen që ndonjëherë ndjehet e vetme, dhe se komuniteti duhet të solidarizohet me tepërnë këtë betejë për mbrojtjen e natyrës. ‘’Mendoj se duhet investuar më shumë, veçanërisht tek të rinjtë’’ – shprehet mësuesja nga Këlcyra, duke shtuar se aty mungon një qendër ku të rinjtë të mblidhen dhe të diskutojnë për rëndësinë e Vjosës apo vendlindjen e tyre. ‘’I shoh ata të përfshirë në aktivitetet e pakta që organizohen, veçanërisht ato kulturore dhe artistike’’ – thotë Laerta, teksa me një buzëqeshje të lehtë nostalgjike kujton se studimet e para i ka kryer për muzikë.

‘’Atë që ne bëjmë sot do ta gjykojnë brezat’’ – shprehet mësuesja e Vjosës, siç e meriton të cilësohet Laerta. Ndaj ajo vijon e palodhur punën për të mbjellë në zemrat e nxënesve dhe miqve të saj përkushtimin dhe dashurinë ndaj Lumit të egër, i cili nga maja e Këlcyrës i ngjan një gjigandi të gjelbër që gjarpëron drejt brigjeve të Adriatikut, aq te largëta dhe ëndërrimtare që aty.