Rrjeti i zonave të mbrojtura të Shqipërisë shtrihet sot ne rreth 18 % të territorit të vendit. Rrjeti njeh fillimet e tij që prej viteve 1960’ kur u shpallën zonat e para të mbrojtura të përbëra kryesisht nga sipërfaqe të vogla pyjore. Pas viteve 2000, ky rrjet u zgjerua ndjeshëm në përmbushje të qëllimit të krijimit të oazeve të ruajtjes së natyrës dhe larmisë biologjike të vendit. Sot në këtë rrjet bëjnë pjesë ekosisteme të larmishme përfshirë ato malore të mbuluara me pyje, kullota e sidomos ato ligatinore që përfshijnë laguna, liqene, lumenj, ujëra bregdetare, pyje bregdetare, pyje breglumore, duna ranore, toka me bimësi të kripur, shkurreta, pyje etj. Zonat e mbrojtura strehojnë ndërkaq thuajse tërësinë e specieve të natyrës shqiptare ku shumë prej specieve dhe habitateve janë në mbrojtje nga konventat ndërkombëtare, Direktivat e Komunitetit Evropian dhe nga legjislacioni shqiptar në fushën e mbrojtjes së natyrës.
Shqipëria është një vend i pasur me habitate e cila renditet në 30 % të florës Evropiane. Koncepti habitat lidhet me biodiversitetin, i cili është tërësia e organizmave të gjallë dhe ekosistemeve ku këto organizma zhvillohen. Këto habitate përfshijnë laguna, liqene, lumenj, ekosisteme detare e bregdetare. Biodiversiteti i Shqipërise është i rëndësishëm pasi është faktor që ndikon në rritjen e turizmit në vend si dhe ruajtjen e rëndësisë së specieve të veçanta. Megjithatë, mbrojtja e biodiversitetit është e vështirë të realizohet për shkak të kompleksitetit të tij dhe veçorive të habitateve.
Vlen të theksohet se vitet e fundit në Shqipëri ka pasur ndryshime të këtyre ekosistemeve dhe për rrjedhojë edhe ndryshim të popullatave të specieve apo zhdukje të tyre. Disa faktorë që kanë ndikuar në këtë shndërrim janë: ndotja ujore dhe akustike, fragmentimi i habitateve, gjuetia e paligjshme, grumbullimi i bimëve në menyrë të paligjshme, ndryshimet klimatike, përmbytjet, thatësira, zjarret në pyje. E thënë ndryshe, speciet e kanë të vështirë përshtatjen me mjediset e reja dhe si rrjedhojë popullatat e tyre reduktohen ndjeshëm deri ne zhukje nga mungesa e kushteve optimale që lidhen me habitatin, ushqimin apo sëmundjet e ndryshme. Disa grupe janë më shumë të rrezikuara nga të tjerët pasi habitati i tyre është shkatërruar plotësisht si rrjedhjë e ndotjes që lidhet drejtpërdrejt me nivelin e lartë të urbanizimit, ashtu si dhe me zjarret në pyje, apo peshkimit të paligjshëm.
Në mesin e vitit 2019, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nisi një proces tërësor rishikimi të rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura dhe propozoi fillimisht reduktimin me mesatarisht të 20% të sipërfaqes së zonave të mbrojtura bregdetare ku spikasnin Narta që reduktohej me afro 45% të sipërfaqes aktuale, Velipoja me 27%, Divjakë-Karavastaja me 12% etj. Reduktimi në Nartë i hap rrugë ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, një investim ky i cilësuar nga Komisioni Evropian në shkelje të plotë të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Reduktimi në Divjakë-Karavasta dhe Velipojë i hap rrugë bujqësisë intensive dhe impianteve të mëdha të energjive të rinovueshme që shoqërohen me humbje të mëdha të habitatatit dhe shkatërrim të korridoreve të shtegtimit të kafshëve të egra.
Grupimi i shoqërisë civile dhe institucionet akademike dhe shkencore të vendit reaguan menjëherë ndaj planeve të mësipërme të qeverisë duke u përpjekur të bindin qeverinë për mos cënuar asnjë zonë të mbrojtur. Shoqëria civile reagoi me forcë kundër procesit të ndjekur nëpërmjet letrave dërguar Ministrisë, daljeve publike në media, përdorimit të platformave sociale dhe takimeve me titullarë të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Bazuar në në raportin “Hartëzimi i problematikës mjedisore përgjatë bregdetit në Shqipëri“ të realizuar nga organizata mjedisore EcoAlbania, me mbështetje të Fondacionit Westminster për Demokraci, theksohet se në qarkun Vlorë, tjetërsimi i habitateve kap vlerën 12.428 ha nga 12437,7 ha që ishte para ndryshimeve të vitit 2021 në Parkun Kombëtar të Sazan-Karaburun-it, ndërkohë që në Lezhë dhe Durrës arrin respektivisht ne vlerat e 8092 ha nga 9393,9 ha në Luginën Kune-Vain. Një vlerësim i perceptimit të publikut mbi nivelin e ndikimit të tjetërsimit të habitateve në raport me problematikat mjedisore vlerësohet në Vlorë me 12,5% tkurrje, ndërkohë që në të gjithë vijën bregdetare në total 2.5% nga sipërfaqja e përgjithshme.
Në qarkun e Lezhës, ndotja në lumenj dhe zjarret në pyje janë dy faktorë që cenojnë biodiversitetin. Si fillim,mungesa e pastrimit në fshatra ka shkaktuar ndotje në lumenjtë përreth duke përfunduar me derdhjen e mbetjeve të tyre në det. Sipas raportit, gjithashtu sipas forumeve të diskutimit të realizuar me aktor të ndryshëm nga institucionet qendrore, lokale dhe shoqëria civile në Vlorë, Durrës dhe Lezhë, u theksua që vjen si rezultat i dy faktorëve si ndërgjegjësimi i ulët i banorëve të cilët nuk i hedhin mbetjet në koshat përkatës dhe kalimi i rrallë i kamionëve të bashkisë për t’i grumbulluar ato. Një çështje tjetër është edhe zjarret e shumta, të cilat kanë dëmtuar ekosistemet pyjore dhe faunët që jeton në to. Një faktor i tretë në pakësimin e pyjeve është edhe niveli i lartë i urbanizimit apo ndërtimeve të njëpasnjëshme, të cilat shkaktojnë prerjen e tyre.
Nisur nga raporti dhe sipas mendimit të aktorëve lokalë, cënimi i biodiversitetit arrin në 19 % në Lezhë kurse në Durrës arrin 20 % si shkak i urbanizimit. Kjo tregon se këto zona bregdetare përveç humbjes së hapësirave publike, hasen edhe me fenomenin e prerjes së pyjeve, mospraninë e zjarrëfikësve në kohën e duhur dhe numrin e ulët të tyre, bashkëpunimin e vogël midis bashkive dhe qytetarëve për të diskutuar së bashku problematikat dhe sugjerimet e tyre.
Në Vlorë disa faktorë që ndikojnë në shkatërrimin e habitateve janë peshkimi e gjuetia e paligjshme dhe përdorimi i mjeteve të gabuara për gjueti, përpos urbanizimit të lartë siç ndodh me rastin e Lezhës apo të Durrësit. Perceptimi i aktorëve lokalë lidhur me mjetet e gabuara vlerësohet me 3.5 nga 4 pikë, ndërkohë gjuetia e paligjshme vetëm me 2.88 nga 4 pikë. Përfundimi i studimit rezulton që në Parkun Kombëtar Sazan-Karaburun humbja e biodiversitetit perceptohet nga aktorët lokalë si një nga problematikat më të mprehta mjedisore duke u kuantifikuar me 3.63 nga 4 pikë.
Në mënyrë që të ketë zgjidhje të këtyrë problematikave, përfaqësues të shoqërisë civile diskutuan edhe me institucionet vendore të përfshira në ruajtjen e biodiversitetit. Fillimisht, këto problematika janë evidente jo si rrjedhojë e mungesës së institucioneve përkatëse por si shkak i nivelit të ulët të monitorimit dhe kontrollit institucional.
Së dyti, mungesa e buxhetit afat-mesëm në bashki për ndërtimin e sistemeve efektive për ruajtjen e mjedisit ka sjellë ndërveprim të ulët mes shoqërisë civile dhe institucioneve. Të gjitha këto problematika zgjidhen duke pasur investime konkrete nga ana e bashkive, duke minimizuar zhurmat gjatë ndërtimeve që procesi i urbanizimit mos të ketë ndikime të pariparueshme në biodiversitet apo mos-prerjen e pyjeve për ndërtime në Durrës. Ndër metoda të tjera të sugjeruara nga ana e OSHC-ve janë edhe programet e ndërgjegjësimit kundër peshkimit të paligjshëm në Vlorë apo kalimi më i shpeshtë i kamionëve të pastrimit në Lezhë dhe pajisja me koshat përkatës në fshatrat përreth.
Jo vetëm kaq, por duke nisur nga fluksi i turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë, bashkitë e Lezhës, Durrësit dhe Vlorës po ndërtojnë sisteme menaxhimi që adresojnë problematikën e mbetjeve, peshkimit të paligjshëm si dhe shkatërrimin e biodiversitetit. Një tjetër risi është edhe funksionimi i sektorit të ri të komisariatit dixhital ku çdo individ do ketë mundësinë të denoncojë krimet mjedisore. Kjo pritet të ketë ndikim afatgjatë pasi çdo individ do jetë më i ndërgjegjësuar për biodiversitetin dhe institucionet, përmes raportimit nga qytetarët, do kenë mundësi më shumë për të evidentuar krimin mjedisor që lidhet më shpesh me peshkimin e paligjshëm apo tjetërsimin e habitateve.