Fiks në kohën para zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri, Parlamenti Evropian ka marrë një qëndrim mbi kauzën “Vjosa Park Kombëtar”.
Më 25 Mars, Parlamenti Evropian miratoi Progres Raportin e vitit 2021 Shqipërisë në të cilin “ata nxisin qeverinë [shqiptare] të minimizojë ndikimin në biodiversitet duke ndaluar zhvillimin e energjisë hidrike në zonat e mbrojtura, veçanërisht në zonat pranë lumenjve Valbona dhe Vjosa, dhe të shpall sa më shpejt të jetë e mundur Vjosën Park Kombëtar, duke përfshirë lumin në gjithë gjatësinë e tij […].”
Shumica dërrmuese e parlamentarëve votuan për mbrojtjen e Vjosës.
Një Park Kombëtar i Vjosës i cili përfshinë gjithë gjatësinë e lumit së bashku me degët e tij mund të shërbejë si një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
Fatkeqësisht, politikanët kryesorë shqiptarë nuk kanë marrë një qëndrim mbi këtë çështje e akoma më pak hapa konkrete drejt nismës për ta përcaktuar lumin si një park kombëtar. Para zgjedhjeve të 25 Prill-it, ne shpresojmë të dëgjojmë nga secili prej kandidatëve se çfarë kanë rezervuar ata për Vjosën.