Qytetarë të Përmetit, operatorë turistikë dhe organizata mjedisore protestuan të martën në Sheshin “Abdyl Frashëri” duke kërkuar ndalimin e kërkimeve për naftë nga ana e kompanisë Shell.
Kërkimet që po realizohen nga kjo kompani për naftë apo gaz, në Luginën e Vjosën janë kthyer në një shqetësim për banorët e zonës e njëkohësisht edhe për organizatën EcoAlbania.
Dhjetëra të rinj me pankarta të ndryshme si “Jo naftës në Përmet”, apo “Përmeti nuk është në shitje”, kërkuan në sheshin kryesor të qytetit, përpara bashkisë, që të ngrenë zërin rreth zhvillimeve të fundit. Disa prej tyre mbajtën fjalime me kërkesa konkrete që kompania të ndalojë shpimet në zonë dhe se autoritetet të tregohen transparente dhe të përgjegjshme për impaktin që mund të ketë në zhvillimin e turizmit.
Një javë më parë banorë të zonës treguan se kompania Shell ka kryer shpime për naftë “si brenda në qytet po ashtu edhe nëpër fshatra”.
“[…] Është një masaker e vërtetë për turizmin, për natyrën tonë të virgjer, Vjosën, ajrin e pastër, traditen dhe kulturën tonë. Në rast të gjetjes së naftës në qytet vendi ynë vdes nga ana turistike. Nuk jemi kundër investimeve të tilla, por jo brenda qytetit. Ne jetojmë duke shfrytëzuar natyrën tonë, ujin dhe ajrin. Ju lutem na ndihmoni të largojmë ketë të keqe nga qyteti Duam vetem Përmetin e pastër asgjë më shumë,” – është shprehur një banor i Përmetit.
Lugina e Vjosës duhet të marrë zhvillimin që tashmë ka nisur drejt turizmit dhe jo drejt industrializimit! EcoAlbania do ta ndjek këtë çështje hap pas hapi!