Mania e digave vë në rrezik zonat e mbrojtura në Ballkan

 

113 hidrocentrale janë planifikuar në Parqe Kombëtare

Njoftim për shtyp nga RiverWatch, EuroNatur dhe EcoAlbania

Vienë, Radolfzell, Tiranë, 21 Maj 2015. Të dielën me 24 maj, është “Dita Evropiane e Parqeve”- një ditë për të festuar zonat e mbrojtura në Evropë dhe për të promovuar vlerat dhe përfitimet prej tyre (www.europarc.org). Megjithatë, sidomos në Ballkan, ka pak arsye për të festuar, sepse nga studimi i kryer nga RiverWatch dhe EuroNatur ka të dhëna se 535 projekte (nga totali i 1640 HEC-eve të identifikuara si të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël) janë aktualisht të planifikuara brenda zonave strikte natyrore.  113 prej tyre janë brenda parqeve kombëtare – zakonisht me mbështetjen e kompanive dhe bankave ndërkombëtare, veçanërisht nga vetë BE. “Kështu jo vetëm zonat e mbrojtura në vetvete vihen në rrezik, por edhe vlerat e kategorive të mbrojtura në përgjithësi. Çfarë kuptimi ka emri Park Kombëtar nëse brenda territorit të tij lejohet ndërtimi i HEC-eve?” thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.

Zonat e Mbrojtura janë hartuar për të mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin e saj. Kjo është veçanërisht e vërtetë për parqet kombëtare në të cilët çdo formë e përdorimit komercial është e ndaluar. Megjithatë kjo është injoruar sistematikisht si nga shtetet anëtare të BE si Sllovenia dhe Kroacia, ashtu dhe nga vendet kandidate si Shqipëria.

535 projekte HEC-esh kanë devijuar ujin në tuba në mes të Parqeve Kombëtare, Rezervave të Biosferës, siteve të trashëgimisë botërore të UNESKOS, siteve Ramsar apo  Natyra 2000.

 

Hidrocentrali në Langaricë. (c) R. Tasho

Në Shqipëri janë planifikuar 40 hidrocentrale brenda Parqeve Kombëtare- në Parkun Kombëtar të Valbonës, Lurës, Bredhit të Hotovës dhe Shebenik-Jabllanicës. “Qeveria Shqiptare duhet të rishikojë të gjithë lejet e dhëna brenda Parqeve Kombëtare, veçanërisht ato në Bredhin e Hotovës pasi do të ndikojnë në shkatërrimin e ekosistemit unik të lumit të fundit të egër në Evropë”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

“HEC-et nuk kanë vend në zonat strikte të mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare. Bankat, institucionet financiare si dhe Bashkimi Evropian duhet të ndalojnë menjëherë financimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura. Përndryshe ato janë të padobishme dhe zhdukja e specieve do të vazhdojë” thotë Gabriel Schwaderer nga EuroNatur. 535 projektet e planifikuara do të rezultojnë në shkatërrimin e këtyre zonave të mbrojtura nga ndërtimi i digave dhe rrugëve, linjave të energjisë, devijimit të rrjedhës së ujit etj.

Projektet e planifikuara ndahen sipas kategorive të mbrojtjes:

  • 113 në Parqe Kombëtare
  • 23 në sitet Ramsar, Rezervatevetet e Biosferës dhe atyre të trashëgimisë botërore të UNESKOS
  • 131 në zonat Natyra 2000
  • 268 në zonat strikte të mbrojtura (rezervate natyrore, Site Emerald)

Po ashtu 282 projekte HEC-esh janë planifikuar brenda kategorive më pak strikte të mbrojtura, si peizazhe të mbrojtura apo parqe natyrore. Kështu nëse përfshihet dhe kjo kategori, numri i HEC-eve totale të planifikuara brenda zonave të mbrojtura në gadishullin e Ballkanit  arrin në 817.

Ç’ është më e keqja, shumë prej këtyre projekteve janë planifikuar dhe zbatuar me mbështetjen e kompanive ndërkombëtare dhe bankave, veçanërisht brenda BE. Ky është rasti p.sh. në Parkun Kombëtar të Mavrovos në Maqedoni: 22 HEC-e janë projektuar brenda territorit të parkut, disa prej të cilave të financuara nga Banka Botërore, EBRD(Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim) dhe nga Instituti Gjerman i Kreditimit  për Rindërtim. Një tjetër shembull është Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës në Shqipëri: me ndihmën e Bankës Austriake për Zhvillim (OeEB) dhe degës së bankës Botërore IFC,  kompania austriake ENSO Hydro është duke ndërtuar një HEC brenda këtij parku kombëtar.

Gjeni studimin e plotë këtu: Projektet hidro-energjitike në Zona të Mbrojtura në Ballkan

Informacion shtesë:

Fushata “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”: Lumenjtë e gadishullit të Ballkanit kërcënohen nga mania e ndërtimit të digave. Më shumë se 630 HEC-e të rinj të mesëm dhe të mëdhenj janë projektuar aktualisht nga Sllovenia në Shqipëri. Në se marrim në konsideratë dhe projektet e HEC-eve të vegjël, numri rritet afërsisht në 2000 HEC-e. Në mënyrë që të kundër veprojmë ndaj këtij vërshimi shkatërrues, EuroNatur dhe RiverWatch kanë  nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me EcoAlbania në Shqipëri dhe partnerët lokalë në vendet respektive të Ballkanit.

Për më tepër mund të klikoni në: http://www.balkanrivers.net/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *