Zhvillohet seanca gjyqësore për HEC Poçem. Në seancën e radhës do të jepet vendimi.

Seanca gjyqësore e planifikuar për çështjen e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë u zhvillua dje më 13 Prill 2017, në Gjykatën Administrative edhe pa praninë e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe të Kompanisë ishin prezent në këtë seancë ku mbrojtën palët që përfaqësonin. Gjatë seancës pati momente debati në parashtrimin e argumenteve. Paditësit ngritën pretendimin para gjykatës se gjithë procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit për HEC-in e Poçemit është bërë në shkelje të kuadrit ligjor.

Në mënyrë të veçantë paditësit sollën faktet që procedura e konsultimit me komunitetin nuk është respektuar dhe për këtë arsye kanë kërkuar pavlefshmërinë absolute të kontratës konçesionare.


Gjithashtu raporti i VNM-së së paraqitur nga kompania si pjesë e procedurës është një dokument i cili nuk përmbush standardet e nevojshme për sa i përket vlerësimit të ndikimit në mjedis. Për këtë arsye pala paditëse i kërkoi gjykatës të thirren si dëshmitarë përfaqësues të kompanisë GR Albania, të cilët kanë përgatitur raportin e VNM-së dhe disa shkencëtarë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, që do të provonin mbi ndikimet mjedisore që do të kishte ndërtimi i këtij hidrocentrali në lumin e Vjosës.

Gjatë seancës gjygjqësore për HEC Poçem. (c) EcoAlbania


Kërkesat e paditësve për të thirrur si dëshmitarë shkencëtarët, përfaqësuesit e kompanisë GR Albania, si dhe pjesëmarrësit në dëgjesën publike të organizuar më 28 shkurt 2015 në Fier nga kompania turke Cinar San nuk u pranuan nga gjykatësit për çështje procedurale. Vendimi mbi pretendimet e ngritura në akt-padi pritet të jepet në seancën e radhës më 20 prill 2017, ora 15:00.


Procesi gjyqësor, nisur nga organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe 38 banorë të prekur nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit u çel më 2 dhjetor 2016, duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të kontratës konçesionare të lidhur mes Ministrisë së Energjisë dhe Kovlu Energji- bashkimit të shoqërive Cinar San dhe Ayen Energy.

Informacion shtesë:


Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.


Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit, si EcoAlbania në Shqipëri.


Kontakte:


Olsi Nika |EcoAlbania | e-mail: [email protected]| Tel:+355 69 29 41 575


Ulrich Eichelmann | RiverWatch | e-mail: [email protected]


Vladimir Meçi | Avokat | e-mail: [email protected]| Tel: +355 69 60 12 800

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *