Turi i Lumenjve të Ballkanit mbërrin në Valbonë

 

BRT_logo_rgb1Të gjithë kundër hidrocentraleve në Valbonë

Valbonë 8 Maj, 2016. Turi i Lumenjve të Ballkanit mbërriti sot në luginën e Valbonës, për të vazhduar rrugëtimin e nisur 23 ditë më parë në Slloveni. Kajakistë dhe admirues të natyrës nga e gjithë Evropa kanë përshkruar mbi 16 lumenj në vende të ndryshme të Ballkanit, për të ndërgjegjësuar publikun për rëndësinë e ruajtjes së këtyre perlave natyrore.

Lugina e Valbonës është një nga luginat më mbresëlënse në Shqipëri, me biodiversitet shumë të pasur dhe një nga atraksionet më të mëdha turistike në vend. Lumi i Valbonës përbën një ekosistem natror të jashtëzakonshëm duke strehuar shumë lloje kafësh dhe bimësh të kërcënuara. Megjithatë në vetëm 30 km e para të lumit janë planifikuar të ndërtohen 14 hidrocentrale, duke e vëne në pikëpyetje natyrën dhe rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm që kjo zonë ka nisur.

(c) J. Pirnat

“Kjo është dita jonë për të përqëndruar vëmendjen ndërkombëtare tek kërcenimi nga HEC-et në Shqipërinë Veriore, në Valbonë, Deçan, Rugove dhe Skavicë. Paraditen e sotme të pranishmit patën mundësinë të provonin vozitjen me kajak apo rafting dhe të shprehnin gatishmërinë e tyre për tu angazhuar më shumë në mbrojtjen e Valbonës”, thotë Catherine Bohne, drejtuese e fushatës për mbrojtjen e Valbonës.

Banorët e luginës së Valbonës dhe qytetit të Bajram Currit të cilët i janë bashkuar Turit të Lumenjve të Ballkanit, kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe shprehen se do të përshkallëzojnë protestat duke treguar vendosmërinë e tyre deri në arritjen e qëllimit. “Do ta ruajmë Valbonën të lirë, të pastër, kështu si jemi mësuar ta shohim. Ky është një konflikt i dyfishtë; me këtë natyrë përrallore por edhe me njerëzit që historikisht e kanë lidhur jetën e tyre me këtë luginë” u shpreh Islam Lauka, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

(c) J. Pirnat

Ndalesa e rradhës do të jetë lumi i Osumit dhe turi do të përmbyllet me finalen e madhe në lumin Vjosa nga data 13-18 Maj. “Ne jemi të lumtur që arritëm të organizojmë një aktivitet kaq të madh për mbrojtjen e lumenjve në të gjithë Ballkanin dhe se porta e parë pritëse për Turin e Lumenjve të Ballkanit në Shqipëri është pikërisht Valbona. Ndërtimi i HEC-eve në zonat e mbrojtura dhe ato me ndjeshmëri të lartë është i papranueshëm pasi dëmi që ata shkaktojnë në këto ekosisteme është i pariparueshëm” thotë Olsi Nika nga EcoAlbania, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Arsyeja e shpalljes së zonave të mbrojtura është ruajtja e natyrës dhe si të tilla zonat e mbrojtura, veçanërisht Parqet Kombëtare duhet të qëndrojnë pa hidrocentrale”, thotë Theresa Schiller koordinatore e Fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga Fondacioni EuroNatur.

Kajakistët do të dorëzojnë një peticion të veçantë me kërkesën për mbrojtjen e Vjosës, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në 20 maj. Vjosa është lumi i fundit, i “egër” i Evropës, në të cilin, gjithashtu, janë planifikuar projekte hidrocentralesh.

Turi i lumenjve të  Ballkanit është një aktivitet i organizuar në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, e cila është iniciuar nga “EuroNatur” dhe “RiverWatch” me qëllim për të mbrojtur lumenjtë e Ballkanit nga shkatërrimi përmes zhvillimit të pakontrolluar të ndërtimit të hidrocentraleve. Turi i lumenjve të Ballkanit është një iniciativë e përbashkët e Leeway Collective, EuroNatur, Riverwatch dhe WWF Adria që mbështetet nga Patagonia, Fondacioni Mava dhe fondacioni Manfred-Hermsen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *