++Banorët e zonës së Shushicës dorëzojnë një peticion të pazakontë për të ndaluar marrjen e ujit nga Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa++
Tiranë, 25 maj 2024. Sot një përfaqësi e banorëve nga zona e lumit të Shushicës dhe të tjerë nga Vlora dhe luginën Vjosës udhëtuan për në Tiranë për t’i dorëzuar një peticion të pazakontë kryeministrit Edi Rama: një tub blu i gdhendur nga 1,500 firma – i njëjtë me ata që po kërcënojnë rajonin e tyre dhe një pjesë të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Rreth 1,500 banorë nga 37 fshatra të zonës janë bashkuar me një deklaratë të fuqishme kundër projektit për marrjen e ujit nga lumi i Shushicës. Firmat e tyre, tashmë mbulojnë tubin blu, që simbolizon zërin e tyre kolektiv. Për më shumë se dy javë, ky tub ka udhëtuar përmes zemrës së luginës, duke kaluar në Kuç, Brataj, Kotë, Peshkëpi, Tërbaç, Vranisht, Kallarat, Mesaplik, Lepenicë, Gjorm, Selenicë, dhe më shumë. Me çdo ndalesë, janë shtuar më shumë firma, duke i kërkuar kryeministrit të ndalojë projektin.
“Kemi ardhur në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë. Ne nuk duam që ky projekt të zbatohet. Fshati ynë dhe fshatrat e tjerë, do të preken nga devijimi i burimit të Lepushës. Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar dhe duhet të mbrohet.”, thotë Astrit Balilaj, kryeplaku i fshatit Kuç.
Tubat blu janë simbol i projektit shkatërrues. Për 6 muajt e fundit, kompania Austriake STRABAG i ka vendosur këto tuba për të devijuar ujin e burimit të Shushicës në bregdetin Jonian, duke synuar përmbushjen e kërkesave të turizmit masiv.
“Të ndalohen punimet menjëherë. Ky projekt do të shkatërrojë një zonë të tërë! Do të lërë fshatrat, blegtorinë dhe tokat pa ujë. Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë dhe jemi të vendosur ta bllokojmë punimet nëse se zëri ynë nuk dëgjohet. Ne nuk jemi kundër që të marrë ujë Himara, por si pjesë e Parkut Kombëtar nuk mund ta lejojmë këtë t’i ndodhë Shushicës”, thotë Lela Qejvani, një aktiviste lokale.
Shushica është një nga degët kryesore të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa – me një biodiversitet shumë të pasur. “Ky projekt devijimi nuk është vetëm shkatërrues, por edhe i panevojshëm. Ka mjaft burime alternative uji jashtë kufijve të Parkut Kombëtar për të përmbushur nevojat e Himarës. Bashkë me banorët e Shushicës, ne po kundërshtojmë edhe ligjërisht këtë projekt në Gjykatën Administrative në Tiranë”, thotë Olsi Nika nga EcoAlbania.
“Në qoftë se ky projekt vazhdon, Shushica – ose një pjesë e madhe e saj – do të humbasë statusin Park Kombëtar. Kjo do të ishte një humbje e konsiderueshme për natyrën dhe komunitetet lokale, të cilat do të humbasin përfitimet që vijnë nga zhvillimi i eko-turizmit në Parkun Kombëtar. Përfundimisht, kjo është një zgjedhje midis ekoturizmit dhe dorëzimit drejt turizmit masiv”, thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.
“Lumi i Vjosës u shpall Park Kombëtar, jo vetëm për të mbrojtur degën kryesore, por edhe për të ruajtur një ekosistem lumor të paprekur dhe të gjallë, nga i cili Shushica është një komponent shumë i rëndësishëm. Marrja e ujit nga Shushica do të përbëjë një kërcënim të madh për integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, thotë Annette Spangenberg, nga EuroNatur.
Informacion i përgjithshëm
- Shushica – duke përfshirë edhe burimet e saj – është një degë e rëndësishme e Vjosës dhe pjesë e Parkut të parë Kombëtar të një Lumi të Egër në Evropë që nga marsi i vitit 2023. Projekti i devijimit të ujit po financohet nga Banka Gjermane e Zhvillimit KfW dhe BE (Marrëveshja e Investimit të Ballkanit Perëndimor), ndërkohë që punimet e ndërtimit po realizohen nga kompania austriake STRABAG. Projekti është aktualisht në ndërtim e sipër.
- Vjosa është lumi i fundit, i madh dhe i egër në Europë jashtë Rusisë. Përgjatë rrjedhës së saj gati 270 kilometra, lumi rrjedh pothuajse i pandërprerë nga malet Pindit për në detin Adriatik. Në mars të vitit 2023, pas 10 vitesh përpjekje të fushatës sonë, qeveria shqiptare shpalli Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër të Europës.
- Iniciativa për të mbrojtur Vjosën është pjesë e fushatës së “Save the Blue Heart of Europe”, e zbatuar nga Riverwatch dhe EuroNatur. Në Shqipëri, partneri vendas është EcoAlbania. Në përpjekjet tona për të mbrojtur Vjosën si Park Kombëtar, ne bashkëpunuam me kompaninë e huaj Patagonia.
- Fushata e “Save the Blue Heart of Europe” mbështetet midis të tjerëve nga Manfred-Hermsen-Stiftung