Me datë 23 Qershor 2020, Miq të Kutës, dashamirës të natyrës, entuziast të energjisë diellore dhe mbështetës të fushatës ‘Solar në Kutë’, u takuan për tu informuar më nga afër mbi ecurinë e fushatës online të këtij projekti, por edhe për të ndarë ide të reja për fuqizimin e iniciativave të tilla në vend.
Fushata ‘Solar në Kutë, një nismë e organizatave partnere EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, u lançua zyrtarisht në datën 26 Maj dhe gjatë këtyre javëve ka sjellë në vëmendjen e publikut të gjerë historinë e komunitetit Kutë në mbrojtjen e lumit Vjosa dhe kapacitetin për prodhimin e energjisë diellore në çatitë e ndërtesave pa qenë nevoja për të shkatërruar lumin Vjosa.
Drejtori ekzekutiv i EcoAlbania Olsi Nika dhe Oficerja e Komunikimit Besjana Guri, ndanë me të pranishmit rrugëtimin e tyre që nga krijimi i idesë së këtij projekti pilot, bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin e Kutës, dhe sfidat në ndërgjegjësimin mbi shmangien e hidrocentraleve si alternativë për prodhimin e energjisë dhe ruajtjen e lumit Vjosa si lumi i fundit natyror në Evropë.
Vlerat shoqërore dhe kulturore të lumit Vjosa janë të pazëvendësueshme për komunitetin e Kutës, pasi njerëzit nuk jetojnë vetëm pranë lumit, por me lumin. Vjosa ka një vend të veçantë dhe thelbësor në jetën e përditshme të këtij komuniteti. Në takim ishte e pranishme Irisa Murataj, banore e Kutës, e cila ndau me të pranishmit eksperiencën e saj me lumin Vjosa, si dhe çfare humbjesh do të pësonte komuniteti i Kutës nëse hidrocentrali i Poçemit do të ndërtohej.
Si një nga zonat më të prekura nga hidrocentrali i planifikuar i Poçemit në luginën e Vjosës, fushata do të vazhdojë t’i japë zë komunitetit të Kutës dhe t’i mbështesë ata në betejën për të shpëtuar shtëpitë dhe tokat e tyre.
Gjeni më shumë infomacion këtu: