Shpaloset vizioni për Vjosën: Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë

++Propozohen kufinjtë e parkut dhe faza e planifikimit për shpalljen e parkut kombëtar++

Tiranë, 6 qershor 2019.  Në vazhdën e përpjekjeve për ruajtjen dhe promovimin e lumit Vjosa, tre organizatat partnere EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur kanë shpalosur sot vizionin e tyre për Vjosën. Ata propozuan krijimin e Parkut të Parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë, duke evidentuar vlerat e rralla natyrore të saj dhe rëndësinë e ruajtjes së këtij ekosistemi unik në kontinent. 

“Ne synojmë të krijojmë Parkun Kombëtar të Vjosës sipas standardeve Evropiane, i cili përfshin jo vetëm rrjedhën kryesore të lumit por edhe degët e saj ende të paprekura nga projektet e hidrocentraleve”, tha Ulrich Eichelmann, nga Riverwatch, Austri.

Mbështetësit e vizionit për shpalljen e Parkut të parë Kombëtar të lumit të Egër – Vjosës (c) O. Ujkashi

Sipërfaqja totale e parkut të propozuar të Vjosës është 111,600 ha. Shtrati i lumit me lymjet e tij duhet të jetë Zona Qendroree parkut të ardhshëm. Nga këndvështrimi ekologjik, pjesët më të rëndësishme të zonës qendrore janë: Tepelenë-Bënçë dhe Kalivaç-Poçem, si dhe grykëderdhja në detin Adriatik. 

“Sistemi lumor i Vjosës është me rëndësi të madhe në një kontekst europian. Gjithnjë e më shumë shkencëtarë nga Shqipëria dhe nga jashtë vendit janë të interesuar për të hulumtuar vlerat e këtij sistemi lumor dhe për të mbledhur të dhëna të munguara deri tani për habitatet dhe biodiversitetin, për kapacitetin e transportit të sedimenteve, për proceset e vetëpastrimit, etj.”, tha prof. Aleko Miho, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Planifikimi i Parkut kombëtar duhet të realizohet brenda 3 viteve në bashkëpunim të ngushtë me komunitetet lokale, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, institucionet qendrore dhe vendore, OJQ-të, etj. Ndërsa shpallja e parkut kombëtar synohet të konkretizohet në vitin 2023.

Një hap tjetër do të ishte një zgjerim dypalësh i PKLE të Vjosës duke kombinuar Aoos dhe Vjosën në një Park Kombëtar Ndërkufitar të Lumit të Egër. Për këtë qëllim, Parku Kombëtar ekzistues “Vikos-Aoos” në Greqi duhet të zgjerohet në rrjedhën e poshtme drejt kufirit me Shqipërinë.

Lexoni FLETËN INFORMUESE për më shumë informacion mbi kufijtë e mundshëm, sipërfaqen dhe si do të mund të vihej në zbatim ky Park Kombëtar. 

Informacion i përgjithshëm

Fushata “Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës” synon të mbrojë lumenjtë më të çmuar në Ballkan nga cunami i rreth 3,000 projekteve të planifikuara të digave. Fushata koordinohet nga OJQ-të Riverwatch dhe EuroNatur dhe realizohet së bashku me organizatat partnere në vendet e Ballkanit. Partneri lokal në Shqipëri është EcoAlbania. Gjej më shumë informacion në http://balkanrivers.net/ dhe www.ecoalbania.org