Shkodër, 25 mars 2024. Me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Liria” në Shkodër, edukimi mjedisor pati në fokus temën e “Riciklimit”. Diskutimet u përqëndruan te urbanizimi në rritje dhe keqmenaxhimi i mbetjeve, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së mbeturinave dhe praktikimit të kësaj mase në jetën e përditshme. Për të sensibilizuar nxënësit për këtë çështje, u përdorën metoda kreative dhe praktike për të kuptuar ndikimin njerëzor në mjedis.
Nxënësit u inkurajuan të reflektojnë mbi ndikimin e veprimeve të tyre në mjedis dhe rolin e tyre në mbrojtjen e natyrës. Për të vënë në praktikë konceptin e riciklimit, ata u angazhuan në aktivitete krijuese ku ricikluan shishet plastike dhe pastaj i pikturuan ato me pamje të natyrës. Ky veprim kreativ synonte të përforconte ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e nxënësve në lidhje me rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ta mbrojtur atë.
Aktiviteti për riciklim u shënua si një hap i rëndësishëm drejt të qenit më të përgjegjshëm ndaj mjedisit tonë. Përmes kësaj përvoje, nxënësit u inkurajuan të marrin pjesë aktivisht në veprimtari të cilat promovojnë praktikat e qëndrueshme dhe të kujdesen për mjedisin në mënyra inovative.