Resorti i Mabetex kërcënon Parkun Kombëtar “Divjakë – Karavasta”

28.05.2017, Divjakë. Në një konferencë për shtyp në lagunën e Divjakës, disa shoqata mjedisore, kanë kundërshtuar ndërtimin e resortit nga Mabetex në Divjakë. Sipas organizatave AOS, EcoAlbania, PPNEA dhe EuroNatur, projekti është parashikuar të ndërtohet brenda Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, i cili është shpallur si zonë e mbrojtur që prej vitit 1964. Ky projekt do të rrezikonte biodiversitetin dhe habitatet natyrore më të rëndësishme në brigjet e Adriatikut.

Projekti i kompanisë Mabetex përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve. Projekti ka nisur të hartohet që nga viti 2012, por së fundmi duket se kompania ka gjetur simpati mes qeverisë dhe opozitës dhe po kryen procedurat formale para se të kërkojë miratimin në qeveri.


“Në zonat e mbrojtura nuk lejohen ndërtime me intensitet të lartë siç parashikohen në projektin e propozuar; megjithatë, ligji i ri për Zonat e Mbrojtura i miratuar me ngut nga parlamenti në fund të legjislaturës ka dy nene kontradiktore 49 dhe 50, që lenë hapësirë për abuzime”, tha Taulant Bino, drejtues i shoqatës Albania Ornthological Society, AOS.


“Ne jemi shumë të shqetësuar për planet e prezantuara rishtazi për të ngritur një resort turistik brenda parkut kombëtar,” tha Schwarder nga EuroNatura.


Kujtim Mersini nga Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Shqipëri, PPNEA, u shpreh se spciet endemike në parkun Divjakë-Karavasta janë një pasuri e paçmueshme.


Olsi Nika, nga Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri- EcoAlbania, u shpreh se vendimmarrja për këtë projekt dhe informacioni i detajuar mungon. Për këtë shkak organizatat e shoqërisë civile pritet të përfshihen në një fushatë sensibilizuese me banorët e zonës, mbi ligjshmërinë e projektit, ndikimin që ai ka në Parkun Kombëtar, si dhe alternativat për një zhvillim të qëndrueshëm të zonës.


Artikulli është publikuar nga:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *