Kronikë, Top Channel
Përfaqësues të EcoAlbania dhe aktivistë të mjedisit protestuan përpara Ministrisë së Jashtme për projektidenë greke për devijimin e Vjosës, por aktiviteti mori kthesë tjetër, kur për t’i takuar doli ministri i jashtëm, Ditmir Bushati.
Pas takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, ambientalistët dhe qytetarët kanë qenë në një linjë me Ministrinë e Jashtme. Garancinë se çështja është ndjekur dhe po ndiqet hap pas hapi, Ministria e Jashtme e dha paralalisht me nënvizimin se nuk do te lejohet asnjë devijim nga e drejta ndërkombëtare për këtë çështje.
“Pala greke ka shumë të qartë qëndrimin tonë për këtë projektide. E kemi bërë të ditur qëndrimin tonë edhe në Komisionin e Përbashkët të Menaxhimit të Ujërave Ndërkufitare dhe jemi në ndjekje të situatës, por duhet të jemi të saktë, që është vetëm një projektide dhe nuk kemi të bëjmë me një projekt real në terren”, tha Glevin Dervishi, këshilltar për Median në Ministrinë e Jashtme.