Tiranë, 13 dhjetor 2023. Në frymën e festave, kemi pasur kënaqësinë të organizojmë një orë edukimi mjedisor me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” në Tiranë. Ky aktivitet synoi të nxisë ndërgjegjësimin mjedisor në nxënësit e kryeqytetit me anë të teorisë, eksperimenteve dhe lojërave edukative.
Gjatë orës edukative, pati diskutime mbi ndotjen mjedisore dhe se si në përditshmëri shumica prej nesh e shkaktojnë, duke lehtësuar një bisedë të hapur me nxënësit. U impresionuam nga entuziazmi dhe pasioni i shfaqur nga këto mendje të reja, që kishin afishuar në ambientet e shkollës punime të tyre me materiale të riciklueshme.
Eksperimenti i filtrimit tërhoqi vëmendjen e tyre mbi ndotjen e Ujit dhe të Tokës dhe lojërat edukative si “Rrugëtimi i Dhelprës” , “Rrjeta e peshkatarit” dhe “Imitimet” duke ju dhënë pikëpamje të reja mbi karakteristikat e gjallesave shtazore.
Ndërsa reflektojmë mbi suksesin e ketij aktiviteti, kujtohemi për rëndësinë e angazhimit të të rinjve në promovimin e ruajtjes së mjedisit. Presim me padurim më shumë mundësi për të bashkëpunuar me shkolla dhe institucione të përkushtuara për të patur një planet më të gjelbër.
Mësues apo drejtues shkolle dhe që kanë dëshirë të zhvillojmë orë edukimi mjedisor në shkollën e tyre, mund të bëhen pjesë e projektit të edukimit duke kontaktuar koordinatoren e projektit Marina Xhaho në adresën e-mailit: [email protected].
Projekti “Edukimi mjedisor në shkollat 9 vjeçare në Shqipëri”, synon të rrisë ndërgjegjësimin mjedisor nëpërmjet edukimit të të rinjve përmes aktiviteteve në të paktën 35 shkolla të vendit.