Më 6 dhjetor 2017 u zhvillua në parkun “Rinia” loja “Të njihemi më shumë me energjinë”. Qytetarë të Tiranës iu bashkuan kësaj loje ndërgjegjësuese të mbajtur nga dy organizatat EcoAlbania dhe Qendra EDEN. Loja u mendua në formën e një rrote me disa ndarje. Secila ndarje përkonte me një pyetje nga jeta e përditshme mbi përdorimin e energjisë dhe burimet e rinovueshme. Interesi i shfaqur nga kalimtarët mbi tematikat e “varfërisë energjetike” dhe përdorimin efiçent të energjisë ishte i lartë.
Pjesë e lojës u bënë qytetarë të moshave të ndryshme. Praktikat më të mira për të kursyer energjinë elektrike dhe për të bërë banesat e tyre efiçente nga ana energjetike ishin në krye të bisedave midis përfaqësuesëve të organizatave dhe qytetarëve.
Aktiviteti ndërgjegjësues “Të njihemi më shumë me energjinë” u zhvillua njëkohësisht në pesë qytete të Shqipërisë nga organizatat pjesë e “Rrjetit të Vigjilencës Mjedisore”. Gjashtë organizatat e vigjilencës mjedisore kanë ndërmarrë një studim për të vlerësuar situatën e varfërisë energjetike në familjet shqiptare. Gjatë aktivitetit ndërgjegjësues u paraqitën disa të dhëna të nxjerra nga ky studim i kryer në qytetet Tiranë, Berat, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan. Vëmendjen e qytetarëve e kanë tërhequr shifrat që tregojnë se familjet shqiptare konsumojnë më pak energji elektrike në raport me nevojën e tyre reale.
Pjesëmarrja e lartë në secilin qytet është tregues i interesit që qytetarët kanë për temat e përdorimit të energjisë elektrike, politikat e reja mbi efiçencën energjetike dhe përditësimin me informacione që mund të përdoren edhe më gjerë se ky aktivitet. Në përfundim të lojës, pjesëmarrësve u janë dhuruar llamba efiçente LED A++ për t’i orientuar ata në mënyrën e duhur sesi mund të lehtësojnë faturën e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre.
Qytetarët që iu bashkuan lojës përkrahën nismën e ndërmarrë nga organizatat e vigjilencës mjedisore për të trajtuar këtë çështje që lidhet drejtpërdrejt me jetesën e familjeve shqiptare si dhe për përfaqësimin e interesave të tyre në organet vendimmarrëse.
Në vijim të punës së tyre, organizatat e vigjilencës mjedisore do të ndërmarrin aksione të tjera për shpërndarjen e informacionit mbi praktikat më të mira të përdorimit efiçent të energjisë.
Informacion shtesë:
Projekti “Së bashku – Një sy për mjedisin” zbatohet nga organizatat:
- Qendra e Informacionit Aarhus, Shkodër.
- Qendra për Kërkim, Bashkëpunim dhe Zhvillim (CRCD), Vlorë.
- Klubi Ekologjik Elbasan, Elbasan.
- Për mirëqënie Sociale dhe Mjedisore, Berat.
- Qendra mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN), Tiranë
- Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania), Tiranë.
Aktiviteti në Tiranë u organizua nga EcoAlbania dhe Qendra EDEN në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.