Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë, si një formë për shmangien e ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosë ishte tema që bëri bashkë miqtë e Vjosës në takimin e radhës.
Takimi u zhvillua në datën 29 janar 2020 në Tiranë, ndërsa mori shkas nga një projekt i ri që organizata EcoAlbania synon të zbatojë në fshatin Kutë të Mallakastrës. Më konkretisht, projekti ‘Solar në Kutë”, synon instalimin e paneleve fotovoltaike në këtë fshat, fillimisht në 5 godina publike e më pas në një fazë të dytë shtrirjen e këtyre impianteve në të gjithë banesat e fshatit. Ndërkohë që, qëllimi i këtij projekti është dhënia e mesazhit se energjia mund të prodhohet edhe nga burime të tjera, përveç atyre hidrike.
Në takim morën pjesë gazetarë, operatorë ekonomikë që punojnë në fushën e paneleve diellore si dhe dashamirës të natyrës, të cilët diskutuan mbi alternativat sesi energjia diellore mund të shfrytëzohet për të shmangur ndërtimin e digave në lumin Vjosë.
“Padiskutim që mesazhi që është zgjedhur është shumë i drejtë, ndaj zbatimi i projektit ‘Solar në Kutë’ do të ndihmojë në kauzën e Vjosës pa diga”,-tha Elton Sota nga kompania Vega Solar, i cili shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencën teknike e profesionale në këtë drejtim. “Dielli është një nga burimet e prodhimit të energjisë, ndaj duhet të shfytëzohet”,-shtoi ai.
Ndërkaq, gazetarët e pranishëm në takim kërkuan më shumë informacion rreth projektit, duke theksuar rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë, sidomos në një moment kritik që ndodhet Shqipëria. “Varësia nga burimet ujore ka bërë që vendi ynë të humbasë miliona euro për të importuar energji, ndërkohë që impiantet fotovoltaike padiskutim që do e zbusnin këtë faturë”,-u shpreh një prej gazetarëve të pranishëm. “Ndërkohë që, nga pikëpamja e Vjosës përfitimi është i dyfishtë, pasi fitojmë edhe zhvillimin e turizmit”,-shtoi ai.
Përpjekjet e grupimit të miqve të Vjosës në fushatën për të mbrojtur lumin e fundit të egër ne Evropë do të vazhdojnë, duke mbështetur vizionin për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar. Nismat më të afërta lidhen me hapjen e çështjes gjyqësore për hidroecentralin e Kalivaçit.