Hapet proces gjyqësor për hidrocentralin e Poçemit në Vjosë

++Projekti për hidrocentral në lumin e fundit të egër në Evropë planifikohet të ndërtohet pa Vlerësim të përshtatshëm të Ndikimit në Mjedis apo pjesëmarrje publike++Precedent ligjor për sundimin e ligjit në Shqipëri++

Tiranë, Vjenë, Radolfzell, 2 dhjetor 2016. Planet për shkatërrimin e Vjosës tashmë po sfidohen në gjykatë. Sot organizatat për mbrojtjen e mjedisit EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, si dhe 38 banorë të prekur, çelën procesin gjyqësor në Gjykatën Administrative kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në Vjosë. Paditësit kërkojnë pezullimin e çdo vendimi apo premtimi për këtë hidrocentral, i cili planifikohet të ndërtohet nga bashkimi dy shoqërive turke fituese të koncesionit. “Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë kërkesë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për mbrojtjen e një prej zonave natyrore më me vlerë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Evropën”, thotë Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga EcoAlbania.

Vjosa duhet të rrjedhë e lirë. Sot u hap procesi gjyqësor kundër hidrocentralit të Poçemit. (c) O. Aljaz

Arsyet e kësaj padie janë të shumta. Vlerësimi i ndikimit në Mjedis (VNM) pranuar nga institucionet përkatëse është tërësisht i papërshtatshëm, ku më shumë se 60 % e VNM-së është plagjiaturë, kopjuar nga projekte të tjera, ndërkohë që vlerësimet për florën dhe faunën mungojnë.  Profesor Schiemer nga Vjena, i cili ka analizuar këtë raport VNM-je, së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria, Gjermania dhe Austria konfirmon: “Nuk kam parë më parë një VNM kaq të dobët. Gjithçka është një farsë. VNM-ja duhet të përsëritet dhe të hartohet sipas standardeve ndërkombëtare.” Në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, kritikuat për nivelin e dobët të raporteve të VNM-ve kanë qenë të qarta.

Një arsye tjetër ku bazohet kjo padi është fakti se banorët e fshatrave Kutë, Çorrush, Sevaster, Shkozë, Golimbas, Mazhar etj, të cilët preken nga projekti i HEC-it të Poçemit nuk janë informuar. Vetëm në fshatin e Kutës pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishteve do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it prej 2400 hektarësh dhe 90 persona do të detyrohen të shpërngulen. Edhe pse asnjë nga banorët e prekur nuk është njoftuar, një konsultim publik për këtë projekt është mbajtur në qytetin e Fierit ku asnjë pjesëmarrës nuk ishte banor i zonave të prekura.

Banorët e Kutës rrezikojnë të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. (c) O. Hadushaj

Një procedurë e tillë në fakt nuk përbën përjashtim, por është ajo çfarë ndodh rëndom në Shqipëri. Prandaj kjo padi është e domosdoshme jo vetëm për të ardhmen e Vjosës dhe banorëve të saj, por dhe për mbrojtjen e natyrës e vendosjen e drejtësisë në përgjithësi në Shqipëri.  Avokati Vladimir Meçi, i cili përfaqëson paditësit në këtë proces, konfirmon: “Ligjet tona nuk janë të dobëta, por shpesh injorohen nga investitorët, autoritetet dhe politikanët. Kjo mospërfillje duhet të ndalojë para se të shkatërrojmë gjithë pasuritë natyrore të vendit. Rasti i Poçemit është një gur prove për sundimin e ligjit në Shqipëri.”

Informacion shtesë:

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit

Kontakte:

Ulrich Eichelmann-Riverwatch               [email protected]         +43 676 66 21 512

Olsi Nika  – EcoAlbania                                  [email protected]                                +355 69 29 44 757

Vladimir Meçi, Avokati i çështjes            [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *