10 janar 2020. U çel sot në Tiranë ekspozita me fotografi “Kuçedra – jeta në lumin e fundit të egër në Evropë”, nga fotografi Amerikan Nick St. Oegger. Ekspozita e kuruar me kujdes nga vetë fotgrafi paraqet një tabllo të mënyrës së jetesës së komuniteteve që jetojnë përgjatë luginës së Vjosës dhe të kërcënimeve që i kanosen lumit të fundit të egër në Evropë. Ajo dokumenton bukuritë natyrore të rralla të luginës dhe portretet e njerëzve që kanë lidhur jetën prej brezash me lumin.
Kjo ekpozitë hapet për herë të parë në Shqipëri, pas asaj në pjesën greke të lumit Vjosa në Vouvusa. Ndërsa më parë Nick-u ka publikuar dhe librin e tij me të njejtin titull, i cili është shitur në disa shtete të botës dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar dhe të interesuarit mund ta vizitojnë atë cdo ditë nga e hëna deri të premten, nga ora 10:00-17:00.
Lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë dhe fushata për mbrojtjen e saj nga projektet hidro-energjetike është mbështetur nga komunitetet vendore, shkencëtarët, artistët, OJF-të, Parlamenti Eurpian dhe Konventat Ndërkombëtare, avokatë dhe gazetarë e aktivistë të shumtë të cilët kanë ndërmarrë nisma të shumta për rritjen e ndërgjegjësimit publik.
Ekspozita u organizua nga EcoAlbanian në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Antropologjike dhe Hapsinore, në Qendrën Kërkimore Sllovene të shkencave dhe artit, dhe Qendrën Kulturore Tulla.