Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” reagon për konferencën e investitorëve në hidroteknologji

Grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”, i përbërë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare joqeveritare aktive në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan sot kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Shqipërisë.

Në këtë moment delikat kur shoqëria civile e ka kërkuar vazhdimisht vëmendjen për të ndaluar këtë proces shkatërrues mbi lumenjtë dhe burimet ujore dhe bërjen transparente të tij nga ana e qeverisë, zhvillohet Konferenca “Hydrotech Albania” në Tiranë, një mbledhje që fton investitorët e huaj të përdorin burimet natyrore ujore të vendit për prodhimin e energjisë.

(c) F. Zekthi

Grupimi ka bërë me dije herë pas here nëpërmjet konferencave për shtyp, protestave dhe konferencës kombëtare, si dhe shkresave argumentuese mbi ndikimet negative të ndërtimit të HEC-eve në lumenjtë shqiptar, duke kërkuar Moratorium për ndërtimin e HEC-eve në lumenjtë e Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare. Ky moratorium do të shërbejë si një periudhë refraktare për analizimin e situatës aktuale, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe ndërtimin e një Master-plani për ndërtimin e HEC-eve në përputhje me strategjitë kombëtare të zhvillimit.

Nga 436 koncesione për HEC-e  të dhënë deri në vitin 2014, 248 prej tyre ende nuk kane filluar punë ose nuk ka asnjë informacion mbi gjetjen e fondeve për zbatimin e projekteve për HEC-e dhe në bazë të ligjit të koncesioneve (neni 36, pika 1) licencat për këto koncësione mund të rishikohen, ose mund të anullohen.

Grupimi ka argumentuar se vendimet e qeverisë së mëparshme dhe asaj të tanishme për të investuar në sektorin e energjive të ripërtëritshme, veçanërisht të ndërtimit të hidrocentraleve duke u bazuar në kërkesa pa studime dhe pa vlerësime strategjike e shkencore është mëndje-shkurtësi, anakronike dhe me qëndrueshmëri afatshkurtër. Këto vendime nuk marrin parasysh rëndësinë globale ekonomike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe politikat për të përdorur burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme duke ruajtur natyrën dhe vlerat e saj, duke sjelle risi, vende të reja pune dhe qëndrueshmëri ekonomike.

Për më tepër, kjo zgjedhje nuk merr parasysh ndikimet negative në sektorët ekonomik që jetojnë dhe zhvillohen nëpërmjet përdorimit të lumenjve sikurse janë turizmi, bujqësia dhe peshkimi. Ne i konsiderojmë këto aktivitete të shëndetshme për territorin tonë dhe një treg real për ekonomi të qëndrueshme që meritojnë nxitje dhe mbështetje nga qeveria jonë dhe investitorët e huaj.

Me datë 1 shkurt është hapur procedura e dhënies me konçesion 35 vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa. Ndërtimi i HEC-it në Poçem do t’i jepte fund vizionit për parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë dhe do të minonte zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e gjithë luginës së Vjosës.

Në interes të komunitetit që përfaqëson, grupimi kërkon të ndalohet masakra që po bëhet me lumenjtë duke i mbi shfrytëzuar dhe tjetërsuar ato si thesarin më të çmuar të vendit tonë dhe konkretisht kërkon:

  • Ndalimin e procesit e dhënies së licencave për HEC-et deri në momentin e përmirësimit të procesit nga ana legjislative dhe institucionale;
  • Realizimin e një studimi të gjerë mbi kapacitetet ujore të vendit dhe aftësinë e këtyre kapaciteteve për të ndërtuar HEC-e dhe plotësuar kërkesat për energji të prodhuar nga hidroenergjia;
  • Miratimin e ligjit për moratorium për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve për një periudhë tre vjeçare në mënyrë që të krijohet mundësia për të realizuar përmirësimin e kuadrit ligjor dhe të plotësimit të procedurave dhe institucioneve përgjegjëse për dhënien e licencave brenda kritereve të mirë përcaktuara dhe të vlerësimit të drejtë të ndikimeve në mjedis të tyre;
  • Inspektimin e të gjitha licencave te dhëna për vlefshmërinë e periudhave të zbatimit të projekteve dhe të ndëshkimit të atyre investitorëve që nuk kanë realizuar dhe plotësuar kërkesat si për ndërtimin, rehabilitimin e territorit si dhe respektimin e sasisë së rrjedhës ekologjike të përcaktuar në projektet e ndërtimit të HEC-eve;
  • Promovimin e projekteve alternative të prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme të energjisë diellore dhe erës;
  • Respektimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura brenda kritereve për ruajtjen e natyrës së egër të florës, faunës dhe habitateve

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *