+38 banorë të fshatit Kutë, EcoAlbania, Riverwatch dhe Euronatur fitojnë përfundimisht betejën ligjore për hidrcentralin e Poçemit+
Tiranë, 24 korrik 2024. Beteja e gjatë ligjore për anullimin e hidrocentralit të Poçemit dhe fitorja e shkallës së parë tashmë konfirmohet edhe nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, ku i jepet e drejtë banorëve dhe organizatave partnere të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Në arsyetimin e saj, gjykata e apelit konfirmon plotësisht aktvendimin e shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve. Ky vendim shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
EcoAlbania, EuroNatur dhe RiverWatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër ( fshat që parashikohej të përmbytej nga ndërtimi i Hidrocentralit në Poçem), hapën në dhjetor 2016 procesin gjyqësor kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në bazë të shkeljeve të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare.
Ndërsa në maj 2017, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të banorëve dhe ogranizatave, duke shënuar kështu suksesin e parë të madh të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Bazat e aktpadisë në këtë proces gjyqësor, ishin VNM-ja e papërshtatshme dhe mos konsultimi me komunitetin e prekur. Palët e paditura, si Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy)) apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lejë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën park kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës. “Edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojme si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çeshtje me rigorzitet dhe vendoshmeri”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.
Çështja e hidrocentralit të Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çeshtje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri, e cila i hapi rrugën edhe shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
“Vendimi përfundimtar, përbën një tjetër arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri. E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetitn, ne avokatët por edhe vetë gjykatën. – tha avokati i çeshtjes Vladimir Meçi.
Projekti i hidrocrentralit të Poçmit paraqiste një sërë mangësish të cilat fatkeqësisht hasen në shumicën e rasteve në projekte të ngjashme, si: mungesa e konsultimeve publike me banorët e prekur si dhe raporte të vlerësimit në mjedis të mangëta ose “fake”.
“Ne e kemi kundërshtuar hidrocentralin e Poçemit me të gjitha format demokratike, që nga protestat e deri tek procesi gjyqësor. Ky vendim na ben të ndihemi krenar për unitetin e komunitetit të Kutës”, tha Demir Murataj, banor i fshatit Kutë.
Informacion shtesë:
Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Europë, jashtë Rusisë. Përgjatë rrugës së saj gati 270 kilometra, lumi rrjedh pothuajse i pandërprerë nga Malet e Pindit në Detin Adriatik. Në Mars të vitit 2023, pas 10 vitesh të fushatës tonë, qeveria shqiptare shpalli Vjosën, Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër të Europës.
Iniciativa për të mbrojtur Vjosën është pjesë e fushatës së “Save the Blue Heart of Europe” e nisur nga Riverwatch dhe EuroNatur. Në Shqipëri, partneri vendas është EcoAlbania. Në përpjekjet tona për të mbrojtur Vjosën si një Park Kombëtar, ne u bëmë partnerë me kompaninë e huaj Patagonia.
Fushata “Save the Blue Heart of Europe” mbështetet midis të tjerëve nga Manfred-Hermsen-Stiftung