Tiranë, 28 shtator 2017. Në një takim të hapur të organizuar nga EcoAlbania në Tiranë, Z. Gjergji Simaku, Drejtor në sektorin e Burimeve Energjitike të Rinovueshme dhe Efiçencës Energjetike, Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, si dhe përfaqësues të stafit të EcoAlbania dhe Qendrës EDEN prezantuan problematikat dhe punën që po realizohet në lidhje me përdorimin efiçent të energjisë.
“Deri në vitin 2013, në asnjë nga ligjet shqiptare dhe as në Strategjinë Kombëtare nuk përmendej fjala “energji e rinovueshme”. Hapat përpara që ka bërë Shqipëria duken në miratimin e Strategjisë Kombëtare 2016 – 2030, ku i është vënë theksi diversifikimit të burimeve të energjisë.” – tha Z. Simaku gjatë fjalës së tij. Ai shtoi se vitin e fundit janë trajnuar dhe pritet të pajisen me licencë brezi i parë i audituesve të energjisë dhe deri në vitin 2019 të gjithë ndërtesat duhet të jenë pajisur me çertifikatën PEN (çertifikata e performancës së energjisë elektrike).
Në fjalën e tij Z. Simaku pohoi nevojën e Shqipërisë për të prodhuar energji jo vetëm nga burimet ujore, por edhe nga energjia diellore e ajo e erës. Një tematikë kjo që ngjalli interes mes të rinjve duke reaguar me pyetje dhe diskutime.
Ndërkohë Z. Tase u shpjegoi të rinjve mundësitë e zhvillimit ekonomik lidhur me zbatimin e legjislacionit dhe masave për efiçencën energjetike. “Diversifikimi i burimeve të energjisë është nga njëra anë bazë për zhvillimin ekonomik duke mbajtur nën kontroll çmimet dhe ulur kostot për konsumatorin, dhe nga ana tjetër duke ulur ndikimin negativ në mjedis nëpërmjet çlirimit të gazrave dhe dëmet që sjell prodhimi i energjisë vetëm nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve.” – tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit me ekspertët, të rinjtë e qytetit të Tiranës shprehën interes në lidhje me mundësitë e diversifikimit të energjisë në banesat e tyre. Ata ishin të gatshëm të ndërmerrnin veprime konkrete duke instaluar panele diellore. Pyetja interesante që njëri prej tyre ngriti në lidhje me këtë ishte: “A ekziston mundësi incentivimi nga shteti shqiptar apo sektori privat për qytetarët e Tiranës?” Ekspertët u shprehën pozitivisht në lidhje me kërkesat e incentivave apo granteve që mbështesin këto nisma.
Po kështu të rinjtë shprehën interes në lidhje me punën kërkimore që po zhvillohet nga Qeveria Shqiptare për mundësitë e vendosjes së instalimeve për përdorimin e energjisë diellore dhe atë të erës. “Duke parë dëmet e jashtëzakonshme që ndërtimi i hidrocentraleve ka shkaktuar në mjedis, a po zhvillon Ministria e Energjisë dhe Industrisë studime për mundësinë e alternimit të prodhimit të energjisë?” – pyeti një pjesëmarrëse në takim.
Në fjalën e tij Z. Simaku ka pohuar përpjekjet e ekspertëve nga ministria me mbështetjen e ekspertëve nga Bashkimi Evropian në studimin e mundësive të reja për vendosjen e instalimeve prodhuese të energjisë fotovoltaike dhe përdorimin e energjisë së erës.
Në përmbyllje të takimit u krijua një atmosferë e ngrohtë shoqërore ku të rinjtë patën mundësi të krijonin ura të reja bashkëpunimi si profesionistë të ardhshëm të fushës.
Ky takim u organizua nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.
Artikull nga Ita Angoni/EcoAlbania