Në ceremoninë e zhvilluar nga Partners Albania for Change and Development dhe PDCS më 2 prill 2019 në Tiranë, EcoAlbania ishte ndër tre organizatat që iu akordua çmimi “Pëllumbi i Bardhë” për kurajon civile të treguar në mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.
Beteja e EcoAlbania-s, sëbashku me partnerët dhe bashkëpunëtorët e saj për mbrojtjen e lumit Vjosa është vlerësuar me këtë çmim simbolik me motivacionin “Për këmbënguljen dhe kontributin e dhënë në mbrojtjen e pasurive ujore të vendit, veçanërisht për ndërmarrjen e nismës në mbrojtje të lumit Vjosë dhe ngritjen e çështjes në nivel ndërkombëtar“.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë i cili rrjedh i pandërprerë në gjithë gjatësinë e tij dhe përbën një ekosistem unik. Biodioversiteti i pasur dhe peizazhi i mrekullueshëm i Vjosës bart një potencial të lartë për zhvillimin e qëndrueshëm nëpërmejt ekoturizmit. Megjithatë ajo është e kërcënuar nga planet për ndërtimin e rreth 40 hidrocentraleve. Njësitë e qeverisjes vendore të luginës së Vjosës dhe komunitetet lokale mbështesin vizionin për zhvillimin ndryshe të zonës nëpërmjet kthimit të luginës së Vjosës në Park Kombëtar. Ky vlerësim vjen si një motivim për të vazhduar më tej nismën për mbrojtjen e Vjosës në bashkëpunim të ngushtë me komunitetet.
Zhvillimi i pakontrolluar i projekteve të hidro-energjisë në Shqipëri ka vënë nën presion rrjetin lumor të vendit dhe komunitetet e prekura. Rreth 540 hidrocentrale janë planifikuar në ndertohen në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku pothuajse çdo përrua do të prektet, duke shkaktuar dëme mjedisore të pakthyeshme. Këto projekte cënojnë potencialin turistik dhe shkaktojnë probleme sociale të shumta, si konflikte mes përdoruesve të ujit, shpërngulje të banorëve, humbje e pronave, etj.
Ky çmim i dedikohet të gjithë komuniteteve dhe organizatave në Shqipëri që përballen çdo ditë me sfidën për të mbrojtur burimet ujore dhe ekosistemet natyrore dhe vijojnë rezistencën pavarësisht pengesave që hasin.