Kronikë nga A1 Report
Organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare që lobojnë për mbrojtjen e lumenjve dhe natyrës kanë zhvilluar një takim, konkluzionet e së cilës mund të përmblidhen në dy pika.
- Ndalimi i projektit grek për devijimin e lumit Vjosa si dhe frenimi i ndërtimit të hidrocentraleve pa një masterplan për të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, e sidomos të Vjosës.
- Si dhe marrja në mbrojtje e kësaj pasurie natyrore dhe rivitalizimi i lumit Vjosa në kuadrin e një parku kombëtar, kjo edhe me mbështetjen e organizatave të huaja.
“Shqipëria ka një thesar të jashtëzakonshëm të pasurisë natyrore, dhe ndër to, janë edhe lumenjtë e saj. Ne nga organizata “Euronatur”, besojmë se të paktën lumenjtë kryesorë në Shqipëri meritojnë mbrojtje. Dhe hidrocentralet, janë qartësisht një kontradiktë në mbrojtjen e këtyre lumenjve. Sepse hidrocentralet e shkatërrojnë natyrën. Ne mendojmë se lumi Vjosa, i cili është njëri ndër xhevahiret e Europës meriton që të jetë një park kombëtar dhe të njihet si i tillë. Ne po organizojmë një fushatë ndërkombëtare për të nxjerrë në pah rëndësinë e lumenjve të Ballkanit, ndër këto edhe lumin Vjosa. Dhe kur flasim për Vjosën, ky lumë ka një potencial të jashtëzakonshëm për të tërhequr vizitorë, turistë për të ardhur e për të parë, njërin nga të paktët lumenj natyralë në të gjithë Europën”, tha Gabriel Schwaderer Drejtori Ekzekutiv i Euronatur.