++Projekti i ujësjellësit të Himarës kërcënon Parkun Kombëtar të sapo shpallur të Lumit të Egër Vjosa++
16 dhejtor 2023 Kuç, Selenicë. Dhjetra banorë nga fshatrat e luginës së Shushicës- pjesë e Parkut Kombëtar të lumit Vjosë dhe aktivistë mbajtën protestën e radhës kundër projektit për devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës në funksion të ndërtimit të ujësjellësit të Himarës. Prej më shumë se 5 muajsh përpjekjesh, banorët nga zona e lumit të Vlorës vazhdojnë edhe më të vendosur në mbrojtjen e Parkut Kombëtar dhe ndalimin e ndërtmit të projekit të devijimit të lumit Shushica.
“Projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Bashkinë Himarë është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe e pakthyeshme në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa të shpallur në mars 2023 si zonë e mbrojtur kat. II. Devijimi prej 104 l/s, ku prurja mesatare vjetore e ujit llogaritet të jetë 139 l/s, pritet të lërë shtratin e lumit të thatë gjatë verës. Duke qenë se lumi i Shushicës rrjedh kryesisht në një formacion gjeologjik karstik, ku është tipike fundosja e ujit nën tokë, çdo devijim i ujit do të ketë një ndikim të rëndësishëm në lidhjen gjatësore të ekosistemit lumor”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
“Me devijimin e ujit, do të paralizohet ekonomia e 30 fshatrave, e cila mbështetet në bujqësi dhe blegtori. E vetmja rrugë është braktisja e zonës nga njerëzit”, u shpreh ish-kryeplaku i fshatit Kuç, Asllan Lala.
Banorët shprehen se 35 fshatrat e prekura nuk janë konsultuar asnjhëherë për këtë projekt edhe pse do të jenë ata që do të ndikohen drejpërdrejt nga devijimi i ujit. Ata janë mobilizuar që prej muajit gusht, kur janë ndeshur me punimet në terren. Me protestën e parë ata arritën të bllokonin punimet në veprën e marrjes, në rrjedhën e sipërme të Shushicës pranë fshatit Kuç, ndërsa një protestë e dytë u zhvillua në mesin e gushtit 2023 tek Ura e Laskos ku njerëzit bllokuan përkohësisht edhe rrugën kryesore. Protesta e dates 16 dhejtor është e katërta. Për më teper ata kanë nënshkruar edhe peticione dhe shkresa drejtuar insitucioneve vendore, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Punimet vijojnë në anën e Himarës, pranë përroit të Kudhësit për hapjen e rrugës së re të aksesit.
“Ne si banorë e kemi mirëpritur shpalljen e parkut kombëtar dhe presim që kjo të na sjellë zhvillimin e turizmit në zonë, por të marrësh ujin e lumit që në burim është hipokrizi që ne nuk e pranojmë”, thotë Sotir Zahoaliaj, nga fshati Brataj.
“Kjo ndërhyrje po dëmton Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa si vizion dhe pritet të ketë ndikim negativ të pakthyeshëm në vlerat e ruajtjes së natyrës së tij, duke rrezikuar të kthehet kështu në një precedent për zhvillime të tjera të kësaj natyre. Uji që mendohet të shfrytëzohet, vë në pikëpyetje jetën dhe ekzistencën e rreth 12 500 banorëve, 5000 bagëtive, 4000 bletëve e shumë lloje të tjera kafshësh e bimësh të egra”, shtoi Olsi Nika.
Për më shumë informacion gjeni fletën informuese.