Uznovë, Berat, 22 mars 2024. Ekipi i edukimit mjedisor u zhvendos në Uznovë, ku zhvilloi orën e rradhës me fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Xhemal Çekini. E ndarë në dy sesione, ora edukative trajtoi në mënyrë teorike ndërvepruese temat e rëndësishme, si: toka, ajri, uji, mbetjet etj, njohuri bazë dhe të nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e mjedisit. Ndër të tjera, përmes aktivitetit praktik ata u nxitën të reflektojnë mbi ndikimin e veprimeve të tyre në mjedis dhe mbi rolin e tyre si agjentë të ndryshimit në promovimin e praktikave të qëndrueshme.
Gjatë aktivitetit, u diskutua rreth fenomenit të ndotjes së mjedisit në përditshmëri dhe u analizuan hapat që mund të ndërmerreshin për ta reduktuar atë. Nxënësit u inkurajuan të identifikonin veprimet e tyre të përditshme që mund të kontribuonin në përkeqësimin e cilësisë së mjedisit dhe të gjenin mënyra për t’i zvogëluar ndikimet negative. Kjo përvojë i nxiti ata të marrin pjesë aktivisht në përmirësimin e mjedisit të tyre të afërt dhe të jenë pjesë e një bashkësie të përgjegjshme ndaj natyrës.
Gjithashtu, për të zgjeruar kuptimin e tyre mbi fenomene të ndryshme natyrore dhe shkencore, nxënësit eksperimentuan me tollombacë për të mësuar më shumë rreth elektricitetit statik. Kjo përvojë e praktikës së eksperimentimit u shfaq si një mjet efektiv për të rritur interesin dhe për të promovuar njohuritë shkencore në mënyrë inovative dhe interaktive.