Librazhd Katund, 23 nëntor 2023. 15 nxënës të shkollës 9- vjeçare “Librazhd Katund” kaluan një ditë emocionuese në natyrë ku morën pjesë në pastrimin e ambientit të shkollës, shtimin e filizëve të rinj bimorë në zonën e tyre si dhe u bënë pjesë e lojërave zbavitëse dhe edukuese me tematikën e korridoreve ekologjike.
Gjatë aksionit të pastrimit, nxënësit mblodhën mbeturinat përreth shkollës duke kontribuar për një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm. Ky aktivitet praktik jo vetëm që i mësoi ata për të mbajtur pastër mjedisin, por edhe të mos e ndotin ambientin ku mësojnë. Më pas, nxënësit mbollën fara lëndesh dhe fidanë bredhi, ku me ndihmën e specialistëve të Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan, u njohën me ndryshimet midis mbjelljes së farave dhe të fidanëve. Ata premtuan të kujdesen për to gjatë rritjes së tyre.
Për ta bërë mësimin edhe më argëtues, dita përfshinte disa lojëra në natyrë. Në lojën “Korridoret ekologjike” ata me anë të fotove përfaqësuan lloje kafshësh të rrezikuara (rrëqebulli, ariu i murrmë, dhelpra, kaprolli, lepuri i egër, derri i egër etj.), që përpiqeshin të kalonin rrugën me makina përmes një korridori ekologjik imagjinar që luhej nga dy fëmijë të tjerë. Me anë të ketij korridori të krijuar kafshët kalonin të sigurta në migrimin e tyre. Kjo lojë u tregoi atyre pse është thelbësore të mbrohen këto shtigje për kafshët, të mos shpyllëzohen dhe në rastin e rrugëve të krijohen të reja. Një lojë tjetër ishte “Rrjeta e peshkatarit”, ku disa fëmijë vepronin si peshq dhe të tjerë si rrjeta e peshkatarit. Kjo i ndihmoi ata të kuptojnë se si veprimet tona mund të ndikojnë në jetën e gjallesave.
Qëllimi i ketyre aktiviteteve është për t’u mësuar nxënësve jo vetëm për mjedisin, por për t’i përfshirë ata në mbrojtjen e tij. Shpresa është që këto përvoja do të qëndrojnë me fëmijët, duke i frymëzuar ata që të jenë kujdestarë të përgjegjshëm të mjedisit ndërsa rriten. Ndikimi shkon përtej vetëm një dite – ka të bëjë me krijimin e një komuniteti që vlerëson dhe kujdeset për mjedisin e tij natyror.