+ + Dhuna nuk e shuan protestën: kallëzim në SPAK për zinxhirin komandues të Policisë
Tiranë 26 tetor 2026. Pas dy javësh protestash me pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë dhe qytete të tjera, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, avokatë dhe studentë dënojnë dhunën policore ndaj protestuesve dhe njoftojnë ndjekjen e përgjegjësive përmes një kallëzimi penal të depozituar në SPAK.
Në qëndrimin e tyre të përbashkët, ata shprehin mbështetjen për studentët dhe kundërshtojnë përdorimin e forcës për të frikësuar qytetarët e për të penguar protestën paqësore. Goditja dhe poshtërimi i protestuesve cenojnë sigurinë e tyre dhe lirinë e të gjithë qytetarëve për të kërkuar llogari nga institucionet.
“Studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje pa pasur frikë se do të dhunohen. Dhuna ndaj tyre po përdoret për të paralajmëruar këdo që guxon të kundërshtojë, ndaj reagimi është përgjegjësi e gjithë shoqërisë. Qëndrimi ynë në krah të studentëve është mbrojtje e lirisë dhe e dinjitetit qytetar”, shprehet Ermal Hasimja, përfaqësues i një grupi të gjerë intelektualësh.
Sipas kallëzuesve, materiali i dorëzuar përmban mbi 180 episode të dokumentuara të paligjshmërisë, përfshirë dhunë ndaj protestuesve paqësorë dhe personave të neutralizuar, ndërhyrje nga efektivë pa shenja identifikimi dhe veprime nga persona civilë të paidentifikuar në prani ose në bashkëveprim me Policinë. Këto nuk janë episode të izoluara, por sistemike, që sugjerojnë përgjegjësi penale të drejtuesve të lartë. Studentët janë pjesë e kallëzimit dhe e kërkesës publike për vënien para përgjegjësisë pa humbur kohë.
“Pjesëmarrja jonë në protestë është një mënyrë për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur të drejtat tona. Dhuna e disa individëve nuk na heq të drejtën për të folur dhe nuk do të na detyrojë të heshtim. Izolimi i individëve që ushtrojne dhunë është dështim i policisë, le të mbajë përgjegjësi për këtë. Jemi pjesë e këtij kallëzimi sepse kërkojmë që të përgjigjet penalisht kush shkel ligjin i vërtetë dhe askush të mos ndihet i paprekshëm përballë ligjit”, thekson Lorenco Sina student I angazhuar në protestë.
Kallëzimi, i depozituar nga Qendra Res Publica së bashku me organizata, avokatë, studentë dhe qytetarë të angazhuar, drejtohet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë policorë. Ai kërkon gjithashtu hetimin e rolit të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për orientimet, komunikimet dhe kontributin e mundshëm në krijimin, mbështetjen apo lejimin e mekanizmit të denoncuar të shtypjes së protestës.
“Kërkojmë të zbardhet jo vetëm kush goditi, por edhe kush urdhëroi, kush lejoi dhe kush kishte detyrimin ta ndalte dhunën. Përsëritja dhe shtrirja e episodeve kërkojnë hetimin e të gjithë zinxhirit komandues. Përgjegjësia individuale duhet të përcaktohet mbi provat, ndërkohë që përgjegjësia institucionale duhet të vendoset pavarësisht gradës apo funksionit”, shprehet avokati Dorian Matlija.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se reagimi do të vijojë përmes protestës paqësore, dokumentimit të shkeljeve dhe ndjekjes ligjore të tyre. Ata kërkojnë nga SPAK një hetim të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm, duke nënvizuar se aktet e dhunshme gjatë protestave nuk justifikojnë goditjen pa dallim të pjesëmarrësve.
“Kallëzimi në SPAK e çon këtë betejë edhe në frontin e drejtësisë. Do të qëndrojmë në krah të studentëve dhe do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi për abuzimet e denoncuara. Dhuna nuk mund të bëhet çmimi që qytetari paguan për të ngritur zërin”, deklaron Olsi Nika, përfaqësues i shoqërisë civile.
Photo Credits: Citizens.al
