EcoAlbania nis një iniciativë të re për restaurimin e brigjeve të degraduara të lumit Buna në Shkodër, përmes përdorimit të zgjidhjeve të bazuara në natyrë dhe teknikave të inxhinierisë bimore.
Projekti “Restaurimi i brigjeve të lumit Buna përmes inxhinierisë bimore” do të fokusohet në një segment të lumit të prekur nga erozioni i vazhdueshëm, ku humbja graduale e tokës përgjatë brigjeve po ushtron presion si mbi habitatet natyrore, ashtu edhe mbi zonat e përdorura nga komunitetet lokale.
Lumi Buna përfaqëson një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri, duke lidhur Liqenin e Shkodrës me Detin Adriatik dhe duke krijuar një peizazh dinamik lumor dhe deltor, të pasur me ligatina, fusha përmbytëse dhe habitate lumore. Në të njëjtën kohë, ndryshimet në përdorimin e tokës dhe dinamikën e lumit kanë rritur presionin e erozionit në segmente të caktuara të tij.
Të punojmë me natyrën për restaurimin e brigjeve
Në vend të mbështetjes kryesisht në ndërhyrje tradicionale të inxhinierisë së rëndë, projekti do të aplikojë një kombinim të zgjidhjeve të bazuara në natyrë dhe teknikave të inxhinierisë bimore, me qëllim stabilizimin e brigjeve duke ruajtur njëkohësisht funksionet natyrore dhe ekologjike të lumit.
Ndërhyrjet e planifikuara do të përdorin bimësi lokale, veçanërisht shelgje, përmes teknikave si fashinat me degë të gjalla, mbjellja me copa dhe shtresimi i degëve. Këto masa synojnë të forcojnë gradualisht brigjet me zhvillimin e bimësisë, të reduktojnë erozionin dhe të ndihmojnë në rikrijimin e një habitati më të larmishëm përgjatë lumit.
Aty ku do të jetë e nevojshme, do të realizohen punime të kufizuara për përgatitjen e brigjeve për restaurim, duke mbajtur në minimum përdorimin e ndërhyrjeve konvencionale inxhinierike.
Projekti do të vlerësojë gjithashtu mundësinë e përmirësimit të lidhjes ndërmjet Bunës dhe një krahu dytësor të lumit. Rivendosja e kësaj lidhjeje mund të kontribuojë në krijimin e habitateve më të larmishme dhe në përmirësimin e funksionimit ekologjik dhe hidrologjik të zonës. Çdo ndërhyrje do të zhvillohet duke marrë në konsideratë kushtet lokale, përdorimin e tokës dhe nevojat e komuniteteve që varen prej saj.
Komuniteti si pjesë e restaurimit
Një komponent i rëndësishëm i projektit do të jetë bashkëpunimi me komunitetet dhe institucionet lokale. Fermerët dhe përdoruesit e tjerë të zonës përgjatë lumit do të përfshihen në procesin e konsultimit, ndërsa bashkëpunimi me autoritetet lokale dhe aktorët e tjerë do të ndihmojë që masat e restaurimit t’u përgjigjen njëkohësisht nevojave ekologjike dhe atyre të komunitetit.
Projekti do të krijojë gjithashtu mundësi për të rinjtë që të njihen më nga afër me restaurimin ekologjik të lumenjve dhe teknikat praktike të inxhinierisë bimore. Përmes trajnimeve dhe pjesëmarrjes në aktivitetet në terren, synohet forcimi i njohurive dhe kapaciteteve lokale për mirëmbajtjen afatgjatë të brigjeve të restauruara.
Përtej restaurimit fizik të zonës, projekti synon të tregojë se menaxhimi i lumenjve mund të realizohet duke punuar me proceset natyrore dhe jo kundër tyre – duke mbrojtur biodiversitetin dhe njëkohësisht duke rritur qëndrueshmërinë e komuniteteve që jetojnë pranë lumit.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Mediterranean Biodiversity Consortium për fuqizimin e organizatave lokale përmes Call for Small Projects, me mbështetjen e French Global Environment Facility (FFEM), MAVA Foundation dhe French Development Agency (AFD).
