Organizatat e Shoqërisë Civile Mjedisore bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit deri në shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Tiranë, 12 qershor 2026

Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore shprehin qëndrimin e tyre të qartë se nuk mund të marrin pjesë në proceset konsultuese të organizuara nga Ministria e Mjedisit për sa kohë që mbetet në fuqi Ligji nr. 21/2024 për ndryshimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, i cili ka hapur rrugën për zhvillime dhe ndërhyrje në territore që duhet të gëzojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes mjedisore në vend.

Në këtë kuadër, organizatat mjedisore kanë vendosur të bojkotojnë tryezën e konsultimit të disa projekt-akteve, publik të thirrur nga Ministria më 12 qershor, duke refuzuar të bëhen pjesë e një procesi që synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston. Ndërkohë që diskutohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, në terren po avancojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura, duke cenuar rëndë integritetin e këtyre ekosistemeve dhe duke vënë në pikëpyetje serioze angazhimin real të institucioneve ndaj standardeve evropiane të mbrojtjes së natyrës.

Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024 si një kusht të panegociueshëm dhe paraprak për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian. Kjo kërkesë nuk përfaqëson vetëm një shqetësim të organizatave mjedisore, por është reflektuar qartë edhe në piketat përmbyllëse (closing benchmarks) të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të ruajtjes së biodiversitetit.

Për këtë arsye, Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur. Përpjekjet për të demonstruar progres në procesin e integrimit nuk mund të jenë të besueshme kur problematika më serioze identifikuar në fushën e mjedisit vazhdon të mbetet e hapur.

Ky qëndrim merr një rëndësi të veçantë në një moment kur qytetarët, aktivistët dhe komunitetet lokale në mbarë vendin kanë protestuar për 12 ditë me radhë, duke kundërshtuar cenimin e zonave të mbrojtura dhe duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.

Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore deklarojnë se ky bojkot nuk është një veprim simbolik i izoluar, por një qëndrim parimor që do të vijojë të mbetet i pandryshuar edhe për çdo proces të ardhshëm konsultues të thirrur nga institucionet përgjegjëse, deri në adresimin e kësaj çështjeje themelore. Nuk mund të ketë konsultim kuptimplotë, dialog të sinqertë apo progres të besueshëm në procesin e integrimit evropian, për sa kohë që kërkesa për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 mbetet e paplotësuar.

Mbrojtja e zonave të mbrojtura nuk është një çështje procedurale. Ajo është një provë e vullnetit të shtetit shqiptar për të respektuar Kushtetutën, interesin publik dhe detyrimet e tij ndaj Bashkimit Evropian.