Në kuadër të projektit “Identifikimi dhe prioritizimi i barrierave në lumin Vjosa”, EcoAlbania ka organizuar trajnimin e ekipit të monitoruesve që do të angazhohen në identifikimin dhe vlerësimin e barrierave lumore në pellgun e lumit Vjosa.
Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e projektit, i cili synon të krijojë një inventar të barrierave ekzistuese në degët dhe përrenjtë e pellgut të Vjosës, me fokus të veçantë tek barrierat e vjetra ose jofunksionale që ndikojnë në lidhshmërinë ekologjike të lumenjve.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë e monitorimit në terren, kriteret për identifikimin dhe kategorizimin e barrierave, si dhe përdorimin e pajisjeve GPS dhe mjeteve digjitale për mbledhjen e të dhënave. Gjithashtu, u trajtuan aspektet ekologjike të lidhura me ndikimin e barrierave në migrimin e peshqve, transportin e sedimenteve dhe funksionimin natyror të ekosistemeve ujore.
Pas përfundimit të trajnimit, ekipet nisën monitorimin në terren në disa degë të pellgut të Vjosës. Gjatë vizitave në terren po dokumentohen barriera të ndryshme si prita, tombino, diga të vogla, ura kalimi dhe struktura të tjera artificiale që ndikojnë në rrjedhën natyrore të lumenjve dhe përrenjve.
Të dhënat e mbledhura do të kontribuojnë në krijimin e një databaze dhe harte interaktive të barrierave në pellgun e Vjosës. Kjo do të shërbejë si bazë për analizën teknike dhe ligjore të barrierave, si dhe për identifikimin e strukturave që mund të konsiderohen për heqje në fazat e ardhshme të restaurimit lumor.
Projekti synon të kontribuojë në ruajtjen dhe restaurimin e lumenjve me rrjedhë të lirë, duke mbështetur objektivat e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe përpjekjet më të gjera për mbrojtjen e biodiversitetit dhe lidhshmërisë ekologjike në Shqipëri.
Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania në partneritet me Res Publica dhe me mbështetjen e Open Rivers Programme.




