ESKAVATORË NË ZONËN E MBROJTUR, INSTITUCIONE NË HESHTJE: ÇFARË PO NDODH NË VJOSË-NARTË?

Tiranë, më 8 maj 2026 

EcoAlbania ka ndjekur me shqetësim të thellë ndërhyrjet dhe dëmtimet mjedisore që po ndodhin në Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë, një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme dhe me vlerë të lartë natyrore në Shqipëri.

Prej disa ditësh, në zonë është konstatuar prania e mjeteve të rënda, përfshirë fadroma dhe eskavatorë, të cilët po kryejnë pastrim territori, hapje rrugësh të reja dhe ndërhyrje në habitate të paprekura më parë, duke dëmtuar pyje bregdetare me pisha, dunat ranore dhe elementë të tjerë të ndjeshëm të ekosistemit.

Këto ndërhyrje po kryhen në një zonë të mbrojtur me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, në të cilën strehohen qindra specie shpendësh. Është një habitat i rëndësishëm për specie të rrezikuara, përfshirë shpendët shtegtarë, breshkat e detit dhe fokën mesdhetare, një nga gjitarët më të rrezikuar në botë. Vjosa-Narta përfaqëson një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Adriatikut.

Për më shumë se një dekadë, EcoAlbania ka punuar së bashku me komunitetet lokale, studiues, organizata partnere dhe aktivistë për mbrojtjen e Vjosës dhe ekosistemeve të saj. Përpjekjet prej një dekade kulmuan në shpalljen e Vjosës Park Kombëtare në vitin 2023. Ndërhyrjet që po ndodhin aktualisht rrezikojnë të dëmtojnë rëndë vite të tëra pune dhe përpjekjesh për ruajtjen e kësaj pasurie natyrore për brezat e ardhshëm.

EcoAlbania shpreh shqetësim të veçantë edhe për mungesën e transparencës lidhur me këto ndërhyrje. Deri më tani nuk ka pasur asnjë informacion publik mbi lejet mjedisore, Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis (VNM) apo dokumentacionin e detajuar që shpjegon bazën ligjore, shtrirjen dhe pasojat mjedisore të këtyre punimeve.

Situata ngre shqetësime serioze për zbatimin dhe monitorimin e legjislacionit mjedisor në Shqipëri, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit europian dhe detyrimeve që lidhen me mbrojtjen e natyrës, qeverisjen mjedisore dhe pjesëmarrjen publike.

Shkatërrimi i habitateve brenda zonave të mbrojtura dëmton përpjekjet për përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore të Bashkimit Europian dhe cenon besueshmërinë e angazhimeve të marra në kuadër të Kapitullit 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.

Është e papranueshme që në zemër të një zone të mbrojtur të kryhen ndërhyrje me fadroma dhe eskavatorë, ndërsa institucionet përgjegjëse zgjedhin heshtjen. Mungesa e reagimit nga Ministria e Mjedisit nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si një tolerim i qëllimshëm ndaj një dëmi që po i shkaktohet një prej ekosistemeve më të rëndësishme në Shqipëri. Çdo minutë vonesë në ndërhyrjen institucionale sjell humbje të pakthyeshme për natyrën dhe biodiversitetin e Vjosa-Nartës. U bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese dhe prokurorisë të administrojnë menjëherë provat në terren dhe të hetojnë këtë rast si një krim mjedisor, sepse zonat e mbrojtura nuk mund të mbrohen vetëm me deklarata politike, por me zbatim të ligjit.”– Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv I EcoAlbania

EcoAlbania kërkon:

  • Ndalimin e menjëhershëm të të gjitha punimeve brenda zonës së mbrojtur;
  • Transparencë të plotë publike mbi lejet, vlerësimet mjedisore dhe planet e zhvillimit;
  • Një hetim të pavarur mbi ligjshmërinë e ndërhyrjeve të kryera;
  • Forcim të mbikëqyrjes institucionale dhe përgjegjshmërisë për të parandaluar dëme të mëtejshme mjedisore.

Zonat e mbrojtura nuk mund të ekzistojnë vetëm në letër. Vlera e tyre varet nga mbrojtja efektive, transparenca dhe vullneti institucional për të zbatuar ligjin në praktikë.

Photo copywrite: Taulant Bino