Java e Dytë e Mbjelljes përgjatë Vjosës

Nga data 16 deri më 22 shkurt u zhvillua Java e dytë e Mbjelljes për këtë sezon në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Gjatë kësaj jave, ekspertë, si dhe vullnetarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, u bashkuan për të kaluar disa ditë pune në terren, duke mësuar drejtpërdrejt nga lumi i fundit i egër i Europës, duke përjetuar jetën lokale shqiptare dhe duke ndarë eksperienca, histori dhe momente të bukura së bashku.

Java e Mbjelljes është pjesë e projektit ReForestVjosa, i cili synon restaurimin e 230 hektarëve pyje autoktone në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Në kuadër të këtij projekti është ngritur edhe fidanishteja në Tepelenë, ku tre punonjës dhe një vullnetar punojnë gjatë gjithë vitit për kultivimin dhe përgatitjen e fidanëve vendas për aktivitetet e restaurimit.

Gjatë sezonit të mbjelljes realizohen një sërë procesesh të rëndësishme. Këto përfshijnë nxjerrjen e fidanëve nga fidanishteja, përgatitjen e parcelave të reja, mbledhjen dhe përgatitjen e prerjeve për mbjellje, transportimin dhe përgatitjen e fidanëve për zonat e përcaktuara, si dhe mbjelljen e tyre në terren.

Ky sezon solli edhe një sfidë të veçantë: përmbytjet. Një përmbytje e madhe ndodhi në nëntor 2025 dhe një tjetër në janar të këtij viti. Fatkeqësisht, shumë nga pemët e mbjella gjatë Javës së parë të Mbjelljes në nëntor nuk arritën të mbijetonin, pasi ishin mbjellë shumë pranë brigjeve të lumit dhe u morën nga përmbytjet.

Nga kjo përvojë u nxorën mësime të rëndësishme. Për Javën e dytë të Mbjelljes, zonat e mbjelljes u përzgjodhën më larg nga lumi dhe në zona me një nivel pak më të lartë. U përgatitën parcela të reja ku u mbollën mbi 3000 shelgje dhe plepa, dy specie autoktone karakteristike për këtë rajon.

Java e Mbjelljes u organizua nga EcoAlbania në bashkëpunim me RiverWatch, me mbështetjen e Patagonia. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe kontributin e tyre. Vetëm falë mbështetjes së tyre kjo javë rezultoi kaq e suksesshme dhe plot arritje.