Athinë, 1 tetor 2025 – Një mesazh i fuqishëm bashkëpunimi midis Greqisë dhe Shqipërisë, me kontributin e shkencëtarëve, përfaqësuesve institucionalë, komuniteteve lokale dhe organizatave mjedisore, shënoi përfundimin me sukses të Forumit Ndërkufitar të Lumit (TRF). Forumi u organizua nga MedINA, në bashkëpunim me EuroNatur dhe EcoAlbania, në kuadër të fushatës ndërkombëtare Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës, dhe u zhvillua në Janinë dhe Konicë më 24–27 shtator 2025. Në zemër të Forumit qëndronte një angazhim i përbashkët: krijimi i Parkut të parë Ndërkufitar të Lumit të Egër në Evropë, Aoos/Vjosë.
Diskutimet trajtuan sfidat komplekse me të cilat përballen këta lumenj ndërkufitarë. Duke nisur që nga presionet e zhvillimit, humbja e biodiversitetit dhe kriza klimatike, deri te boshllëqet institucionale dhe të qeverisjes. Këto diskutime nxorrën në pah nevojën për një pjesëmarrje më të madhe të komuniteteve në vendimmarrje. Në të njëjtën kohë, u prezantuan shembuj të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, si Liqenet e Prespës, lumi Danub e të tjerë, të cilët ofruan mësime të rëndësishme dhe një rrugë shprese përpara.
Gjatë Forumit, pjesëmarrësit theksuan urgjencën për një status të unifikuar mbrojtjeje për Aoos/Vjosën, nga burimet deri në deltë, si dhe rëndësinë themelore të bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen, ruajtjen dhe restaurimin e lumit. Ata gjithashtu nënvizuan vlerën kulturore dhe socio-ekonomike të lumenjve si korridore ekologjike për speciet dhe njerëzit, si edhe rolin vendimtar të komuniteteve lokale, të cilat duhet të përfshihen në çdo hap. Siç u shprehën Mihalis Petrakos, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Prespë, dhe Myrsini Malakou, Drejtore e Shoqatës për Mbrojtjen e Prespës:
“Filluam të shohim vendin tonë, në vend që të shikonim jashtë. Njohuritë tradicionale lokale janë me rëndësi jetike në menaxhimin mjedisor. Qëllimi përfundimtar, mbrojtja e natyrës, mund të arrihet – por vetëm nëse krijojmë një sistem të ri socio-ekologjik me mentalitete të transformuara.”
“Mbrojtja e natyrës nuk është një sprint, por një maratonë që kërkon bashkëpunim, besim, një vizion të përbashkët dhe përpjekje kolektive,” theksoi Pavlos Vasakos, President i Shoqatës Kulturore të Gorgopotamos. Mesazhi i tij gjeti jehonë tek Olsi Nika, themelues dhe drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, i cili përshkroi betejën dhjetëvjeçare të komuniteteve dhe organizatave për të shpallur Parkun Kombëtar të Vjosës në anën shqiptare të kufirit:
“Që nga viti 2013 deri në 2023, kur u krijua Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, arritëm të ndërtonim ura bashkëpunimi me studiues, shkencëtarë, juristë, median dhe qytetarë të angazhuar. Me përpjekje të palodhura, u përballëm me të gjitha kërcënimet që rrezikonin lumin, përmbysëm planet për dhjetëra hidrocentrale dhe realizuam vizionin tonë të përbashkët.”
Ekosistemet lumore përballen gjithnjë e më shumë me presione nga fragmentimi dhe zhvillimi hidroenergjetik, ndryshimet e përdorimit të tokës, kriza klimatike dhe ndotja. Të gjithë këta faktorë kërcënojnë integritetin e tyre ekologjik. Në këtë kontekst, Manolis Christodoulakis, deputet i Atikës Lindore dhe përgjegjës i sektorit të mjedisit në grupin parlamentar të PASOK-KINAL, nënvizoi rëndësinë e planifikimit hapësinor dhe mjedisor për përdorimin e qëndrueshëm të tokës, duke theksuar:
“Lumenjtë ndërkufitarë duhet të na bashkojnë dhe të shndërrohen në fusha bashkëpunimi, jo konflikti.” Giorgos Amyras, deputet i Janinës nga partia Demokracia e Re, raportoi se së fundmi kishte paraqitur një pyetje parlamentare mbi rrjedhën ekologjike të digës së Burimeve të Aoosit dhe siguroi se është ngritur një grup pune dypalësh me Shqipërinë për të promovuar bashkëpunimin drejt krijimit të Parkut Ndërkufitar Aoos/Vjosë.
Forumi Ndërkufitar i Lumit hapi dialogun midis institucioneve, organizatave të shoqërisë civile e më e rëndësishmja, u dha zë komuniteteve lokale që të marrin pjesë aktivisht në vendimmarrje për menaxhimin e lumenjve të tyre. Kjo u nënvizua edhe nga Vasilis Nitsiakos, Profesor i Folklorit Social në Universitetin e Janinës, i cili tha: “Rajoni ndërkufitar i Aoosit është strehë e një larmie kulturash lokale që pasqyron diversitetin ekologjik të vetë lumit.”
Pjesëmarrësit gjithashtu theksuan rëndësinë e shkëmbimit të të dhënave shkencore dhe qasjeve të harmonizuara metodologjike për menaxhimin e qëndrueshëm të lumenjve ndërkufitarë. Edhe një herë, në qendër u vu vlera e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore e Aoos/Vjosës në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar e gjithashtu nevoja urgjente për menaxhim dhe restaurim efektiv në të gjithë pellgun e lumit. Siç e përshkroi në mënyrë poetike autori Julian Hoffman: “Është një sistem lumor që funksionon si një këngë polifonike. Çdo degë kontribuon në një këngë me shumë ujëra.”
Alexis Katsaros, Drejtor Ekzekutiv i MedINA, e mbylli Forumin duke thënë: “Ky Forum shënon një angazhim të rifreskuar për lumenjtë ndërkufitarë që lidhin, ushqejnë njerëzit dhe natyrën, dhe frymëzojnë përtej kufijve. Për lumin Aoos, shpresojmë se do të mbrohet më efektivisht nga tani e tutje, përmes bashkëpunimit të frytshëm ndërkufitar, pjesëmarrjes aktive të komuniteteve lokale, dhe miratimit e zbatimit të një kuadri të fortë institucional,” përpara se t’i jepte fjalën Karvanit Polifonik, me Aleksandros Lampridis dhe Aliki Gana që udhëhoqën pjesëmarrësit në një performancë korale unike.Forumi u përmbyll me një festë të madhe të shtunën, më 27 shtator, në sheshin qendror të Konicës, ku artisti i njohur Foivos Delivorias performoi në nder të Aoosit me rastin e Ditës Botërore të Lumenjve. “Sonte, këndojmë për Aoosin, lumin madhështor që bashkon popujt!” deklaroi ai, ndërsa turma u bashkua në këngë.