Raporti i IUCN rekomandon: Të ndalohet devijimi i ujit të lumit Shushica dhe të përdoren burime alterantive

Tiranë, 29 Janar 2025. Ditën e hënë, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) publikoi një raport vlerësimi mbi projektin e diskutueshëm të devijimit të ujit nga Lumi Shushica, një degë jetike e Lumit Vjosa brenda Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa (PKLE Vjosa). Me këtë projekt, qeveria shqiptare synon të devijojë ujin drejt bregdetit në Himarë për të mbështetur turizmin masiv. Raporti, i përgatitur nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe vendas, doli në përfundimin se projekti i propozuar do të kishte ndikime të rënda mbi biodiversitetin e parkut kombëtar dhe nuk përmbush standardet e IUCN për parqet kombëtare. Ai rekomandon shmangien e plotë të projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit. “Shmangia është e domosdoshme për të arritur Mos-humbjen e biodiversitetit dhe për të shmangur ndikimet negative të mëdha mbi integritetin e PKLE Vjosa dhe objektivat e tij,” thekson raporti (IUCN, 2025, fq. 59).

EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur mirëpresin rezultatet e raportit dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që të veprojë me vendosmëri në përputhje me gjetjet e raportit, duke mbrojtur PKLE Vjosa përmes prioritizimit të Skenarit të Shmangies. Ky skenar ndalon shfrytëzimin e ujit të Shushicës dhe rekomandon përdorimin e burimeve alternative ujore jashtë parkut, duke qenë kështu në përputhje me parimin e IUCN për Mos-humbjen e Biodiversitetit dhe siguruar respektimin e objektivave të parkut kombëtar. SHIKO VIDEON TONË.

Gjetjet kryeore të Raportit:

  1. Shkelje e kritereve të Parkut Kombëtar dhe risk i madh ekologjik: Raporti thekson ndikimet e mundshme shkatërruese të projektit, duke përfshirë: a) Humbjen e habitatit kritik për specie të rrezikuara, si peshqit, amfibët dhe bimësia ujore. b) Dëme të pakthyeshme në transportin e sedimenteve, cilësinë e ujit dhe biodiversitetin. Si rezultat i këtyre ndikimeve, projekti bie ndesh me udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare, Kategoria II, të cilave qeveria shqiptare është e angazhuar. “Siç është planifikuar, devijimi i ujit nuk  përputhet me udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare të Kategorisë II, duke prekur potencialisht integritetin dhe objektivat e ruajtjes së parkut si dhe shërbimet e ekosistemit. ” (IUCN, 2025, Përmbledhje Ekzekutive).
  2. Burimet Lëpushës janë thelbësore: Në kundërshtim me pretendimet e propozuesve të projektit – përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit – burimet e Lëpushës kanë rëndësi jetike për Shushicën. Ato përbëjnë burimin kryesor të lumit dhe janë thelbësore për ekosistemin e tij. Raporti i IUCN-së i përshkruan këto burime si “një pjesë kryesore e Lumit Shushica, duke pasur një domethënie funksionale për të gjithë ekosistemin e lumit.” (IUCN, 2025, fq. 22) Projekti, siç është planifikuar, do të shfrytëzonte të gjithë rrjedhën e burimeve gjatë muajve të thatë të verës, duke mos lënë ujë për biodiversitetin e lumit dhe banorët.
  3. Ekzistojnë alternativa të qëndrueshme: Raporti identifikon disa burime alternative uji, si Burimet e Borshit, Tatzatit dhe Ferës, të cilat mund të plotësojnë kërkesën për ujë pa dëmtuar Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.
  4. Ndryshimet klimatike rrisin rrezikun: Me ndryshimet klimatike që parashikohet të reduktojnë disponueshmërinë e ujit në Vjosë dhe Shushicë me 30% deri në vitin 2050, ndikimi ekologjik i shfrytëzimit të ujit do të jetë edhe më i rëndë në të ardhmen.

OJF-të dhe Komunitetet Lokale Kërkojnë Veprim të Menjëhershëm

Organizatat partnere të fushatës “Zemra Blu” dhe banorët e luginës së Shushicës janë të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj këtij projekti.

“Ky raport forcon qëndrimin që kemi mbajtur që nga fillimi i kësaj beteje: projekti do të shkaktonte dëme të mëdha në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, dhe ndërsa ka  burime të tjera ujore, ky projekt është plotësisht i panevojshëm,” tha Olsi Nika nga EcoAlbania. “Skenari i Shmangies është e vetmja rrugë për të mbrojtur një nga ekosistemet e fundit të lumenjve të egër në Evropë dhe për të ruajtur integritetin e PKLE Vjosa.”

“Për breza, lumi i Shushicës ka qenë burim jete për luginën tonë, duke siguruar ujin për tokat tona, ofruar bukuri natyrore dhe burim jetese për komunitetin tonë”, tha Astrit Baliaj, kryetar I fshatit Kuç. “Ne nuk do qëndrojmë duarkryq dhe të lejojmë këtë projekt t’na shkatërrojë lumin dhe jetën tonë. Qeveria duhet të dëgjojë shkencën dhe komunitetin dhe të heqë dorë nga ky projekt”.

OJF-të bëjnë thirrje për heqjen dorë nga planet që kërcënojnë parkun kombëtar, duke i nxitur zhvilluesit e projektit, përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, të përqafojnë alternativa të qëndrueshme që respektojnë integritetin dhe shëndetin ekologjik afatgjatë të parkut.

Informacion shtesë:

  • Skenarët e tjerë të vlerësuar: Përveç Skenarit të Shmangies, raporti shqyrtoi edhe dy skenarë të tjerë me prioritet më të ulët, duke ndjekur kornizën e standardizuar të një Vlerësimi të Hierarkisë së Zbutjes të IUCN:
  • Minimizimi/Skenari i zbutjes së ndikimit: Ky skenar do të kërkonte një ulje të ndjeshme të sasisë së ujit të marrë nga Burimet e Lepushës, një ridizenjim të plotë të veprës së marrjes së ujit dhe përdorimin e burimeve paralele alternative. Nevojitet një studim njëvjeçar mbi hidrologjinë dhe biodiversitetin për të përcaktuar një regjim të rrjedhës mjedisore, si dhe një “Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) sipas Direktivës së rishikuar të VNM” (IUCN, 2025, fq. 65) për të minimizuar ndikimet mjedisore gjatë fazës së ndërtimit. Kjo nënkupton që ndërtimi nuk mund të vazhdojë sipas planit aktual.
  • Skenari i Kompensimit: Sipas këtij skenari, projekti do të vazhdonte sipas planit, por do të kërkoheshin masa kompensimi—siç është zgjerimi i kufijve të PKLE Vjosa për të përfshirë zona shtesë, siç është Delta e Vjosës—për të kompensuar dëmin. Megjithatë, raporti thekson se kompensimi nuk mund të zbusë plotësisht dëmet ekologjike të shkaktuara nga projekti.
  • Shkarkoni Raportin e plotë dhe Përmbledhjen Ekzekutive. Raporti u financua në mënyrë të pavarur nga IUCN dhe përmes fondeve të lidhura me grantin nga Patagonia dhe fondacioni Gordon and Betty Moore dhe u përgatit nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë.
  • Lumi Shushica, një nga degët kryesore të Vjosës dhe pjesë e Parkut të Parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë, përballet me kërcënime nga projekti për marrjen e ujit. Qeveria planifikon të devijojë ujin e burimeve të saj drejt bregdetit Jon për të mbështetur turizmin masiv. Ndërsa tubacionet prej 17 km nga Kuçi në Himarë janë pothuajse të përfunduar, infrastruktura kritike e devijimit ende nuk është ndërtuar. I financuar nga KfW dhe BE (Western Balkans Investment Framework) dhe i ndërtuar nga kompania austriake STRABAG, projekti është si shkatërrues ashtu edhe i panevojshëm, pasi burime alternative uji ekzistojnë jashtë parkut. Komunitetet lokale janë të vendosura ta ndalojnë digën e devijimit.
  • Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj të egër në Evropë jashtë Rusisë. Në gjatësinë e saj prej pothuajse 270 kilometrash, lumi rrjedh i pandërprerë nga Malet e Pindit deri në Detin Adriatik. Në mars 2023, pas dhjetë vitesh përpjektje të fushatës sonë, qeveria shqiptare shpalli Parkun Kombëtar të Parë të Lumit të Egër në Evropë Vjosa.