Gjykata e Apelit konfirmon vendimin për anullimin e HEC Poçem në lumin Vjosa

+38 banorë të fshatit Kutë, EcoAlbania, Riverwatch dhe Euronatur fitojnë përfundimisht betejën ligjore për hidrcentralin e Poçemit+

Tiranë, 24 korrik 2024. Beteja e gjatë ligjore për anullimin e hidrocentralit të Poçemit dhe fitorja e shkallës së parë tashmë konfirmohet edhe nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, ku i jepet e drejtë banorëve dhe organizatave partnere të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Në arsyetimin e saj, gjykata e apelit konfirmon plotësisht aktvendimin e shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve. Ky vendim shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Lumi Vjosa në rrjedhën e mesme – pjesa ku planifikohej të përmbytej nga rezervuari i hidrocentralit të Poçemit (c) Gabriel Singer

EcoAlbania, EuroNatur dhe RiverWatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër ( fshat që parashikohej të përmbytej nga ndërtimi i Hidrocentralit në Poçem), hapën në dhjetor 2016 procesin gjyqësor kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në bazë të shkeljeve të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare.

Ndërsa në maj 2017, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të banorëve dhe ogranizatave, duke shënuar kështu suksesin e parë të madh të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Bazat e aktpadisë në këtë proces gjyqësor, ishin VNM-ja e papërshtatshme dhe mos konsultimi me komunitetin e prekur.  Palët e paditura, si Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy)) apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lejë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën park kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës. “Edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojme si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çeshtje me rigorzitet dhe vendoshmeri”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Çështja e hidrocentralit të Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çeshtje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri, e cila i hapi rrugën edhe shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.   

“Vendimi përfundimtar, përbën një tjetër arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri. E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetitn, ne avokatët por edhe vetë gjykatën. – tha avokati i çeshtjes Vladimir Meçi.  

Projekti i hidrocrentralit të Poçmit paraqiste një sërë mangësish të cilat fatkeqësisht hasen në shumicën e rasteve në projekte të ngjashme, si: mungesa e konsultimeve publike me banorët e prekur si dhe raporte të vlerësimit në mjedis të mangëta ose “fake”.

“Ne e kemi kundërshtuar hidrocentralin e Poçemit me të gjitha format demokratike, që nga protestat e deri tek procesi gjyqësor. Ky vendim na ben të ndihemi krenar për unitetin e komunitetit të Kutës”, tha Demir Murataj, banor i fshatit Kutë.

Informacion shtesë:

Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Europë, jashtë Rusisë. Përgjatë rrugës së saj gati 270 kilometra, lumi rrjedh pothuajse i pandërprerë nga Malet e Pindit në Detin Adriatik. Në Mars të vitit 2023, pas 10 vitesh të fushatës tonë, qeveria shqiptare shpalli Vjosën, Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër të Europës.  

Iniciativa për të mbrojtur Vjosën është pjesë e fushatës së “Save the Blue Heart of Europe” e nisur nga Riverwatch dhe EuroNatur. Në Shqipëri, partneri vendas është EcoAlbania. Në përpjekjet tona për të mbrojtur Vjosën si një Park Kombëtar, ne u bëmë partnerë me kompaninë e huaj Patagonia.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” mbështetet midis të tjerëve nga Manfred-Hermsen-Stiftung