Thirrje për shprehje interesi, drejtuar Organizatave të Shoqërisë Civile, për t´u bërë pjesë e platformës “Rrjeti i Organizatave Mjedisore”, në kuadër të projektit ENGONA-Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri.
INFORMACION RRETH PROJEKTIT
Projekti “Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri (ENGONA-Environmental NGO Network in Albania) u konceptua për të forcuar dhe mbështetur bashkëpunimin mes OSHC-ve në Shqipëri, duke marrë shkas nga bashkëpunimi i pakët mes organizatave dhe konkurrenca midis tyre. Për rrjedhojë, ky projekt synon mbylljen e fragmentarizimit të sektorit të OSHC-ve që operojnë në fushën e mjedisit në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Fokusi kryesor i projektit është promovimi dhe asistenca në teknikat e rrjetëzimit.
EcoAlbania, ACEG dhe IPPM do të zhvillojnë një platformë që do të mundësojë organizimin e OSHC-ve të sektorit në 4 rrjete tematike të Organizatave Mjedisore në Shqipëri, sipas fushave specifike të punës së tyre.
Nëpërmjet kësaj platforme OSHC-të do të kenë një mundësi për të amplifikuar ndikimin e tyre kundrejt vendim-marrësve. Gjithashtu kjo platformë rrjetëzimi konsiderohet si një mundësi mjaft efikase për të shkëmbyer dhe për të eksploruar mundësi bashkëpunimi dhe partneriteti mes OSHC-ve.
Ky projekt financohet nga LëvizAlbania, dhe zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga organizatat: Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore (EcoAlbania), Qendra Shqiptare për Qeverisjen Mjedisore (ACEG) dhe Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (IPPM) për një periudhë 15 mujore.
INFORMACION NË LIDHJE ME THIRRJEN
Përmes kësaj thirrje për shprehje interesi, EcoAlbania, ECEG dhe IPPM, synojnë të krijojnë 4 rrjete tematike me organizata mjedisore të cilat do të nxiten dhe do të mbështeten teknikisht nga koalicioni drejtues për të ngritur dhe advokuar mbi çështje mjedisore me rëndësi kombëtare dhe lokale.
Kriteret për anëtarësimin në platformën ENGONA:
- Organizatë mjedisore lokale ose kombëtare
- Të keni eksperiencë në një ndër këto fusha : qeverisje mjedisore, mbrojtje ndaj ndotjes së mjedisit, mbrojtje e biodiversitetit dhe faunës, advokim dhe hulumtim mjedisor
- Të keni kapacitete për të ushtruar aktivizmin mjedisor dhe për të bashkëpunuar për iniciativa të përbashkëta.
MËNYRA E APLIKIMIT:
Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë pyetësorin online duke klikuar KËTU brenda datës 07.02.2022.
Ju ftojmë të aplikoni për të shprehur interesin për pjesëmarrje.