Reporter.al: Protesta kundër importit të mbetjeve, shoqëria civile kërkon tërheqjen e ligjit

Nga Ivana Dervishi / BIRN


Qindra qytetarë u mblodhën jashtë parlamentit të enjten për të nxitur deputetët të mos e votojnë ligjin e importit të mbetjeve, ndonëse votimi u tërhoq përkohësisht nga rendi i ditës.

Qindra qytetarë dhe aktivistë mjedisorë u mblodhën të enjten përpara Parlamentit. 24 nëntor 2016. (c) I. Dervishi/BIRN


Qindra qytetarë dhe aktivistë mjedisorë u mblodhën të enjten përpara Parlamentit për të protestuar kundër miratimit të ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Protestuesit, një pjesë e të cilëve e kaluan natën e së mërkurës përpara Parlamentit në shenjë rezistence, i bënë thirrje deputetëve qëtë mos e miratojnë ligjin e rikthyer në Kuvend, pas mosdekretimit nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani.


Më 14 nëntor, Presidenti ktheu për rishqyrtim në kuvend ligjin
Nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” me arsyetimin se bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare si dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve shqiptarë.


I propozuar nga tre deputetëtë Partisë Socialiste në korrik, ligji kaloi më 23 shtator në parlament me 63 vota pro dhe 27 vota kundër. Pas mosdekretimit nga presidenti, që të hyjë në fuqi ligji duhet të votohet nga një shumicë prej 71 deputetësh.


I parashikuar për të qenë në rendin e ditës, projektligji u tërhoq në mënyrë të beftë nga seanca e 24 nëntorit, për shkak të qëndrimeve të ndryshme mes partive të koalicionit qeverisës, LSI dhe PS.

Megjithatë, ai u bë pjesë e diskutimeve politike brenda sallës së Kuvendit, ndërkohë që përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdonin protestën në ambjentet e jashtme.


Deputeti Ben Blushi, i cili ka themeluar lëvizjen Libra pas largimit nga Partia Socialiste tha në Kuvend se projektligji për importin e mbetjeve e ka konsumuar afatin e vet 8 javor për t’u shqyrtuar, ndërsa shtoi se tërheqja e tij nga seanca është bërë për shkak të mungesës së votave.


“Pse nuk sillet ligji? Sepse nuk kemi vota sepse ka më shumë vota keqbërësish se vota të atyre që duan të votojnë pro,” tha Blushi.


Por Eduard Shalsi, njëri prej deputetëve propozues të ligjit tha se mazhoranca priti përgjigjen e Bashkimit Europian dhe paralajmëroi se drafti do të kthehej në Kuvend për votim, pasi të diskutohej në Komisionin përkatës.


Protestuesit jashtë parlamentit kërkuan me forcë që deputetët të mos i hapin rrugën importit të mbetjeve në Shqipëri dhe të tërhiqen një herë e mirë nga projektligji.


Artikullin e plotë të publikuar nga Reporter.al mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *