Reporter.al: “Nuk mund të ketë Shqipëri të rilindur, pa ndërgjegje qytetare”

Nga Sokol Çunga / BIRN


Fjala e aktivistit Sokol Çunga në koncertin protestë në Tiranë më 30 tetor 2016, kundër HEC-eve në Valbonë dhe kundër importit të plehrave në Shqipëri.

Momente nga koncerti protestë në Tiranë, kundër HEC-eve në Valbonë dhe kundër importit të plehrave në Shqipëri. (c) S. Çunga

Nuk jam bërë ndonjë herë pjesë e tribunave, sepse nuk më shkojnë tribunat, por u ngjita sot në këtë skenë bashkë me këtë artistë sepse mes këtyre djemve dhe vajzave, shoh artin e pastër qytetar, artin e zhveshur nga çfarëdolloj nuance politike. Këta janë artistët e ndërgjegjshëm të Shqipërisë, të cilët i bëjnë thirrje qytetarëve nën moton ‘Për Tokën, Për Ujin, Për Ajrin dhe Për Jetën’.

Ishin dikur, një shekull e ca më përpara, ca burra shqiptarë kurbetlinj, të cilët u mblodhën bashkë, vunë mundin dhe shpenzimet e tyre, në shërbim të atdheut. Erdhën këtu dhe u bashkuan me një grusht tjetër burrash të ndriçuar dhe shpallën Shqipërinë vend të lirë dhe të mosvarme. Këta burra sot i quajmë rilindas dhe etër të kombit.

Sot kemi djem e vajza nga brenda e jashtë Shqipërisë dhe nga Kosova, të cilët mblidhen për një kauzë shumë jetike, për natyrën, për natyrën e Shqipërisë. Sot ama, ndryshe nga dje, nuk kemi nevojë për të mbrojtur kufijtë e vendit dhe copëtimin e kombit, sot kemi nevojë për të mbrojtur natyrën e Shqipërisë dhe për të ruajtur ndërgjegjen e qytetarëve nga shkatërrimi.

Ky është arti rilindës për të cilin kemi nevojë sot. Pa qytetarë nuk ka qytetërim, pa qytetarë nuk ka profesionistë, nuk ka nëpunës, nuk ka shtetarë. Pa qytetar nuk ka as qeveri dhe as kryeministër, pa qytetarë ka një tufë delesh pa bari.

Këto fjalë i drejtohen edhe mediave, të cilat na sollën gjithë ato furgonë dhe na zunë sheshin, por që nuk besoj se po transmetojnë për aq vend sa zunë. Lypet që qytetari të dijë jo vetëm përgjegjësitë por edhe të drejtat e tij. E drejta e qytetarit është të kërkojë nga shteti i tij hesap a funksionon apo jo dhe nëse nuk funksionon, përse nuk funksionon.

Batutat e tipit, ‘o ma, nuk e bëra unë, e bëri ai tjetri para meje’, apo trembja e qytetarit me gogole dhe ëndrra të frikshme nuk janë demokraci, sepse kjo pastaj nuk është shoqëri dhe nuk është shoqëri demokratike që funksionon por është Mesjetë e cila ka nevojë për një rilindje. Sepse nuk mund të ketë rilindje urbane, nuk mund të ketë as Shqipëri të rilindur nëse nuk ka qytetarë, nëse nuk ka ndërgjegje qytetare.

Artikullin e plotë të publikuar nga Reportet.al mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *