Si vazhdimësi e punës së ekipit të projektit ESPID4Vjosa është zhvilluar raundi i parë i seminareve me përfaqësues të pushtetit vendor, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetin lokal të pellgut të lumit Vjosë. Raundi i parë i seminareve u zhvillua në Tepelenë, Vlorë, Përmet dhe Gjirokastër nga ekipi i projektit në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtar dhe kombëtar. Raundi i parë i seminareve kishte si synim rritjen e kapaciteteve teorike në funksion të një vendimmarrje të kujdesshme, mbledhjen e të dhënave dhe hartimin e problematikave në një këndvështrim lokal lidhur me problematikat e lumit të Vjosës.
Ekspertët ndërkombëtar kishin përgatitur gjashtë tema, të cilat lidhen me problematikat e Vjosës. Temat kyçe të paraidentifikuara ishin: furnizimi me ujë dhe trajtimi i ujërave të zeza, përmbytjet dhe menaxhimi i rrezikut nga përmbytjet, hidrocentralet dhe energjia, menaxhimi i burimeve dhe bujqësia, zonat e mbrojtura dhe turizmi.
Përfaqësues të pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile diskutuan mbi problematikat e Lumit Drino dhe rrjedhës së sipërme, të mesme e të poshtme të lumit të Vjosës dhe i pasqyruan në hartat e përgatitura nga ekspertët. Informacionet e marra gjatë këtij raundi do të përpunohen nga ekspertët në formën e fletave informuese dhe do të shpërndahen te të gjithë grupet e interesit.
Gjithsej, do të organizohen tre raunde seminaresh dhe në fazën tjetër seminaret do të fokusohen kryesisht në ofrimin e zgjidhjeve dhe transferimin e njohurive nga përvojat e vendeve të tjera të BE-së.