Për programe të zhvillimit të qëndrueshëm në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme 2017
Ne, 30 organizata mjedisore, të shpërndara në të gjithë vendin, po ndjekim me interes në këtë fushatë zgjedhore programet dhe angazhimet e partive politike për zhvillimin e vendit në katër vitet e ardhshme dhe vërejmë se:
- 18 parti politike janë regjistruar për zgjedhjet e përgjithshme. Mbi 70% e këtyre partive akoma nuk kanë bërë publike programet e tyre për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit;
- Ndërkohë, në deklaratat dhe premtimet publike të liderve të këtyre partive, neglizhohen, thujase nuk përmenden fare, politikat mjedisore të cilat udhëheqin vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në linjë me vendet e Bashkimit Evropian;
Si rrjedhojë, konstatojmë dhe jemi të bindur se:
- Kjo mangësi përbën një rrezik për të ardhmen që ne duam dhe për integrimin e vendit dhe qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian;
- Zhvillimi i Qëndrueshëm nuk është sfidë teknike, por një politikë zhvillimi e nevojshme, e cila plotëson qëllime të shumëfishta mbi të ardhmen drejt një mbrojtje ekologjike dhe ekonomike e cila respekton standardet bazë të dinjitetit njerëzor, të të drejtave te njeriut dhe të mirëqënies.
Qëndrimin tonë e mbështesim në përvojën 25 vjeçare të programeve të zhvillimit të ndjekura nga të gjitha partitë politike dhe veçanërisht nga ato që kanë qeverisur. Kjo histori na ka dëshmuar qartë se çfarë krizash mjedisore dhe për rrjedhojë sociale dhe ekonomike i kanë sjellë vendit tonë programet për t’u zhvilluar shpejt, duke shfrytëzuar në maksimum burimet natyrore dhe shtuar degradimin e ndotjen mjedisore, pra sipas një zhvillimi të paqëndrueshëm.
Jemi dëshmitarë të trishtë se kjo politikë na ka larguar dhe do të na largojë edhe më shumë nga integrimi Evropian, i cili ka standarde të mirënjohura dhe të pranuara nga politika jonë në drejtim të zhvillimit të gjelbër dhe ekonomisë së qëndrueshme.
Duke qenë se kjo politikë zhvillimi vazhdon të shprehet edhe në angazhimet kaotike të kësaj fushate, ku zgjidhjet vijnë nga lart pa u diskutuar dhe mobilizuar përvojat nga poshtë, politikë që kërkon pasurim të shpejtë dhe ku të mundet, ne i bëjmë thirrje partive politike:
1. Të bëjnë publike sa më shpejtë programet e tyre elektorale, duke siguruar transparencë dhe duke i ofruar qytetarëve shqiptarë alternativa të argumentuara zgjedhjeje për të merituar votën e tyre;
2. Të përfshijnë në programet e tyre politika për një qeverisje miqësore me mjedisin, duke integruar elementët e zhvillimit të qëndrueshëm;
3. Të garantojnë pjesëmarrjen e aktorëve të interesit në vendimmarrje, në përputhje me interesat kombëtare dhe në respekt të ligjeve të vendit si edhe të të gjitha konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.
Ne mendojmë se ka ende mundësi dhe kohë që partitë dhe politikanët të reduktojnë dhe përmirësojnë modelet e paqëndrueshme të zhvillimit ekonomik të vendit tonë mbi të cilat do të punojë qeveria në 4 vitet e ardhshme.
Me këmbëngulje dhe zë të fortë, organizatat e shoqërisë civile si më poshtë:
1. Qendra “Grupimi Ekolëvizja” -Tiranë
2. Forumi i Mendimit të Lirë – Tiranë
3. Egnatia – Librazhd
4. Agjencia Jonjane e Medias, Mjedisit dhe Informacionit (AJMMI) – Sarandë
5. Milieukontakt Albania – Tiranë
6. SEEP – Vlorë
7. Together for Life – Tiranë
8. Ekomjedisi – Durrës
9. Qendra Mjedisore EDEN – Tiranë
10. Qendra e Informacionit Aarhus – Shkodër
11. EcoAlbania – Tiranë 12. Klubi Ekologjik – Elbasan
13. Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore – Berat
14. CRCD -Vlorë 15. Instituti i Këkrimeve Urbane -Tiranë.
16. AULEDA – Vlorë 17. Fondacioni Gjirokastra – Gjirokastër
18. Tjetër Vizion – Elbasan
19. Unë, Gruaja – Pogradec
20. Sot për të ardhmen – Durrës
21. Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri- INCA
22. ILIRIA- Tiranë
23. Forumi Shqiptar Liqeni i Shkodres – Shkodër
24. MIQESIA- Ulëz, MAT
25. Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit- Kukës, HAS
26. GREEN&CLEAN- Korçë
27. CAJUPI – Gjirokastër
28. Adriatic Center – Vlorë
29. GO2 – Shkodër
30. Shoqata e Përdoruesve të burimeve Natyrore Sllovë – Diber.