Rreth 150 aktivistë të mjedisit dhe banorë nga e gjithë lugina e Vjosës i janë bashkuar komunitetit të Bënçës për të protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në një nga degët më mbresëlënëse të saj. Protesta masive e mbajtur në Bënçë u mbështet nga banorët e Bënçës, Tepelenës, Përmetit, Selenicës, Qesaratit, Krasës, Vlorës, Gjirokastrës dhe shumë studentë nga Tirana.
Banorëve dhe fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” i është bashkuar me anë të një shkrese drejtuar ministrit të energjisë dhe deputetja Valentina Leskaj, ku kërkon informacion në lidhje me planet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë.
Në total 31 HEC-e janë projektuar përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, aktualisht 4 hidrocentrale janë duke u ndërtuar, dy prej tyre pikërisht në lumin e Bënçës. Lumi i Bënçës është një nga lumenjtë më të bukur në Shqipëri dhe me vlerë për sa i përket biodiversitetit. Pavarësisht kësaj ujërat e tij do të shfrytëzohen për prodhim energjie duke rrezikuar shkatërrimin e këtij ekosistemi unik. Banorët e Bënçës kanë më shumë se dy vite që protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në këtë luginë. Ata i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse duke kërkuar sqarim në lidhje me atë që po i bëhet lumit të tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.
Pas fushatës ndërgjegjësuese të realizuar nga EcoAlbania me anë të një turi takimesh përgjatë gjithë luginës, banorët tashmë janë të vetëdijshëm për atë çfarë po rrezikojnë të humbin dhe janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre në këtë luginë dhe kanë përqafuar idenë e shpalljes së Parkut të parë Kombëtar lumor në Evropë.
Ky park kombëtar i propozuar nga EcoAlbania dhe partnerët ndërkombëtar RiverWatch dhe EuroNatur është alternativa më e mirë për të ruajtur lumin e fundit të “egër” të Evropës dhe në të njëjtën kohë për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të zonës.
Informacion i përgjithshëm
Fushata për mbrojtjen e lumit Vjosa është pjesë e fushatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve më me vlerë të gadishullit ballkanik. Më shumë se 630 HEC-e janë projektuar aktualisht nga Sllovenia në Shqipëri. Për t’ju kundërvënë kësaj vale shkatërrimi, “EuroNatur” dhe “RiverWatch” kanë nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me partnerët në vendet respektive të Ballkanit.
Nga Besjana Guri/ EcoAlbania